ADN-ja në mbështjellësin mbrojtës zbulon autorët, rikuperohen dy piktura të vjedhura të Renoir

Dy piktura të piktorit të njohur francez Pierre-Auguste Renoir, të vjedhura më 8 shtator nga Muzeu Renoir në Cagnes-sur-Mer, në Rivierën Franceze, janë rikuperuar nga policia, ndërsa hetimet kanë zbuluar dyshime për përgatitjen e një tjetër grabitjeje të veprave të artit.

Katër persona janë ngarkuar paraprakisht me akuza në kuadër të hetimeve për vjedhjen, bëri të ditur të hënën prokurori i Marsejës, Nicolas Bessone. Akuzat përfshijnë vjedhje të kryer nga grup i organizuar dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Veprat e rikuperuara janë “Portreti i zonjës Colonna Romano” dhe “Vajza e re te pusi”, me një vlerë të përbashkët të vlerësuar në rreth 4.7 milionë dollarë. E para ka pësuar një çarje, ndërsa e dyta ka dëmtime të lehta në kornizë.

Sipas hetuesve, autorët kishin prerë një gardh me sharrë elektrike për të hyrë në muze dhe kishin ndërhyrë në kapëset që mbanin katër piktura. Alarmet u aktivizuan dhe policia mbërriti vetëm katër minuta më vonë, duke i detyruar të dyshuarit të largoheshin pa arritur t’i merrnin të gjitha veprat. Dy piktura u braktisën në një mbështjellës mbrojtës.

Gjurmët e ADN-së të gjetura në këtë mbështjellës përputheshin me ato të një 29-vjeçari, i cili ishte tashmë nën hetim për një rast të trafikut të drogës. Të dhënat e gjurmimit të automjetit e lidhën atë me persona të tjerë pas vjedhjes.

Dyshimet për një tjetër grabitje u shtuan pasi policia konstatoi se 29-vjeçari kishte vizituar më 3 tetor Fondacionin Maeght në Saint-Paul-de-Vence, i njohur për koleksionin e tij të artit modern, dhe ishte takuar me një person të njohur për policinë nga raste të mëparshme të vjedhjes dhe falsifikimit të veprave të artit.

Prokurori Bessone tha se arrestimet u përshpejtuan nga dyshimet e forta se një tjetër grabitje ishte e afërt.

Dy personat e dyshuar për kryerjen e vjedhjes janë dërguar në paraburgim, ndërsa i kanë mohuar akuzat. Një i dyshuar i tretë ka pranuar se i kishte marrë pikturat në shtëpinë e tij dhe i kishte fshehur pas një muri të ndërtuar nën shkallë, ku më pas u gjetën nga hetuesit. Personi i katërt ka pranuar se kishte parë fotografi të pikturave, por ka deklaruar se nuk i kishte njohur menjëherë.

Dy të fundit janë liruar nën mbikëqyrje gjyqësore dhe u është ndaluar largimi nga Franca. Dy persona të tjerë të arrestuar gjatë hetimeve janë liruar pa akuza.

Vjedhja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e muzeve franceze, veçanërisht pas grabitjes së bizhuterive të kurorës nga Muzeu i Luvrit në Paris vitin e kaluar.

Muzeu Renoir ndodhet në shtëpinë ku piktori i shquar impresionist jetoi deri në vdekjen e tij më 1919. Ai është një nga atraksionet më të njohura të qytetit bregdetar Cagnes-sur-Mer, mes Kanës dhe Nicës.

Christian Sainte, drejtor kombëtar i policisë gjyqësore franceze, paralajmëroi se vendi vazhdon të jetë objektiv i grupeve kriminale të organizuara që synojnë objekte me vlerë, pjesë të trashëgimisë kulturore.

Sipas tij, muzetë franceze regjistruan 23 raste të tilla gjatë vitit 2025 dhe rreth dhjetë të tjera gjatë këtij viti./KultPlus.com

Read Previous

Stokholmi përgatitet për Koncertin e Çmimit Nobel me emra të njohur të muzikës klasike

Read Next

Fituesi i “Nobel”-it Geoffrey Hinton dhe 400 shkencëtarë kërkojnë kontroll më të rreptë të inteligjencës artificiale