Stokholmi përgatitet për Koncertin e Çmimit Nobel me emra të njohur të muzikës klasike

Koncerti i Çmimit Nobel 2026 do të mbahet më 8 dhjetor në sallën koncertale Konserthuset në Stokholm, me një program muzikor që bashkon vepra të Hannah Kendall, Ludwig van Beethoven dhe Piotr Iliç Çajkovskit, nën drejtimin e dirigjentit të njohur Sir Antonio Pappano.

Orkestra Filarmonike Mbretërore e Stokholmit do të interpretojë nën drejtimin e Pappanos, dirigjentit britaniko-italian dhe shefit të Orkestrës Simfonike të Londrës. Në këtë koncert, ai do të bashkëpunojë me dy solistë të njohur të skenës ndërkombëtare: pianistin Igor Levit dhe mezosopranen Fleur Barron.

Pappano e cilësoi ftesën për të drejtuar koncertin si një privilegj të veçantë, duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në ngjarjet që nderojnë laureatët e këtij viti të Çmimit Nobel dhe arritjet e tyre në shërbim të njerëzimit. Ai gjithashtu shprehu pritshmëri për bashkëpunimin e parë me muzikantët e Orkestrës Filarmonike Mbretërore të Stokholmit.

Mezosopranoja Fleur Barron do të interpretojë veprën e re “I have discovered the secret of death” të kompozitores britanike Hannah Kendall. Titulli i veprës është marrë nga romani “Invisible Man” i Ralph Ellisonit, botuar më 1952, i cili trajton racizmin, identitetin dhe padukshmërinë shoqërore.

Ndërkaq, pianisti Igor Levit do të interpretojë Koncertin e Katërt për piano të Beethovenit, një nga veprat qendrore të repertorit pianistiko-simfonik. Levit njihet veçanërisht për interpretimet e tij të muzikës së Beethovenit dhe për regjistrimet e vlerësuara të të 32 sonatave për piano të kompozitorit.

Koncerti do të përmbyllet me Simfoninë e Katërt të Çajkovskit, një vepër dramatike që trajton përballjen e njeriut me fatin.

Programi përfshin tri vepra: “I have discovered the secret of death” të Hannah Kendall, Koncertin e Katërt për piano të Beethovenit dhe Simfoninë e Katërt të Çajkovskit.

Koncerti i Çmimit Nobel është pjesë e programit zyrtar të Javës së Nobelit, gjatë së cilës nderohen laureatët e këtij vlerësimi prestigjioz. Ngjarja organizohet nga Nobel Prize Outreach në bashkëpunim me Konserthuset Stockholm.

Biletat për anëtarët e Muzeut të Çmimit Nobel dhe abonentët e Konserthuset do të dalin në shitje paraprake më 17 nëntor, ndërsa shitja për publikun e gjerë do të nisë më 18 nëntor. Koncerti do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin e Çmimit Nobel në YouTube dhe në Sveriges Radio P2./KultPlus.com

Read Previous

Rregull i ri në Ligën e Kampionëve

Read Next

ADN-ja në mbështjellësin mbrojtës zbulon autorët, rikuperohen dy piktura të vjedhura të Renoir