BQK dhe FMN diskutojnë për stabilitetin financiar dhe reformat në Kosovë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim bilateral me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore.

Sipas njoftimit të BQK-së, në takim u diskutuan zhvillimet financiare në Kosovë, qëndrueshmëria e sistemit financiar, zbatimi i reformave strategjike dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Guvernatori Ismaili theksoi se sektori financiar i Kosovës vazhdon të karakterizohet nga stabiliteti dhe performanca e mirë, ndërsa sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm.

Ai vuri në pah angazhimin e BQK-së për forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e kornizës makroprudenciale dhe përafrimin e vazhdueshëm të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Gjatë takimit, Ismaili prezantoi progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së 2024–2028, si dhe të rekomandimeve që burojnë nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së.

Theks i veçantë iu kushtua forcimit të stabilitetit financiar, menaxhimit të krizave, përmirësimit të qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale, si dhe zhvillimit të kapaciteteve analitike, të parashikimit makroekonomik dhe mbikëqyrëse të BQK-së.

Ismaili theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe forcimit të gatishmërisë institucionale për t’iu përgjigjur sfidave në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks dhe të pasigurt.

Në emër të BQK-së, guvernatori shprehu mirënjohje për partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe rolin e këtij institucioni në mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar dhe reformave institucionale në Kosovë.

Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të asistencës teknike të koordinuar, të orientuar drejt zbatimit efektiv dhe qëndrueshmërisë së reformave, zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe transferimit të ekspertizës ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, u riafirmua përkushtimi i BQK-së për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC). Ismaili bëri të ditur se BQK-ja tashmë ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e saj në këtë iniciativë.

Ai e mirëpriti themelimin e qendrës si një investim të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve institucionale, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të institucioneve financiare dhe ekonomike. Gjithashtu, konfirmoi pjesëmarrjen e tij në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të qendrës.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke u mbështetur në arritjet e deritanishme dhe duke identifikuar mundësi të reja për vazhdimin e asistencës teknike, shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin institucional.

BQK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit financiar, avancimin e reformave dhe forcimin e qëndrueshmërisë, besueshmërisë dhe efektivitetit të sistemit financiar të Kosovës, në mbështetje të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe përafrimit të mëtejshëm me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Read Previous

Meloni: Marrëveshja SHBA-Rusi për naftën është zgjedhje shumë e rrezikshme

Read Next

Humbja ndaj Atletico Madridit e tërbon yllin e Man Utd