Rama: Votimi i reformës territoriale i dha Shqipërisë një shtysë modernizuese

Kryeministri Edi Rama, reagoi sot pas miratimit në Kuvend të projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Kreu i qeverisë e cilësoi votimin si një tjetër shtysë modernizuese për Shqipërinë.

“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkruan Rama.

Rama shtoi se “dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”.

Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 85 vota pro ndarjen e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 bashki, ndërsa 12 qarqet ekzistuese do të mbeten të pandryshuara.

Me miratimin e hartës së re territoriale 15 bashki bashkohen me njësi më të mëdha vendore, me synimin për të përmirësuar administrimin e territorit, menaxhimin e financave dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët. /ATSH/

Read Previous

Administrata Trump pezullon tetë kompani nga programi i sponsorizimit për kartat e gjelbra

Read Next

Rriten me 35,2% regjistrimet e bizneseve me 100% pronësi të huaj në Shqipëri