Rama: Votimi i reformës territoriale i dha Shqipërisë një shtysë modernizuese
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ndaluar Microsoft, Adobe dhe gjashtë kompani të tjera të teknologjisë së informacionit që të sponsorizojnë punonjësit me viza H-1B për marrjen e kartave të gjelbra, njoftoi të enjten zëvendëspresidenti JD Vance.
Njoftimi u bë gjatë një konference për shtyp mbi mashtrimet e dyshuara me vizat, ku Vance akuzoi gjigantin teknologjik Microsoft se po diskriminon punëtorët amerikanë duke u dhënë përparësi punonjësve të huaj.
Gjatë të njëjtit aktivitet, sekretari i Punës, Keith Sonderling, bëri të ditur se edhe Adobe do të pezullohet nga programi.
“Mesazhi ynë për Microsoft është: Ju jeni një kompani e madhe amerikane, por duhet të punësoni punëtorë të shkëlqyer amerikanë”, deklaroi Vance, i cili drejton grupin e punës së administratës për luftën kundër mashtrimeve.
Vendimi vjen në kuadër të përpjekjeve të administratës Trump për të luftuar abuzimet e pretenduara me sistemin e vizave të punës në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë konferencës, Vance akuzoi Microsoft për mashtrim, duke iu referuar edhe vendimit të kompanisë për të shkurtuar mijëra vende pune në fillim të këtij viti.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Microsoft deklaroi për POLITICO se kompania do t’i ofrojë administratës Trump informacione shtesë lidhur me statusin e emigracionit të punonjësve të saj.
Sipas kompanisë, nga rreth 6.000 aplikime për viza H-1B të paraqitura gjatë vitit të fundit fiskal, 80 për qind kishin të bënin me zgjatjen e vizave ose ndryshimin e statusit të punonjësve që tashmë punonin në Microsoft, dhe jo me rekrutimin e punonjësve të rinj. /tvklan.al