Ish-përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka treguar arsyet që çuan në përfundimin e bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit në maj të vitit 2026, duke e cilësuar ndarjen si fundin e një cikli për të dyja palët.
Në një intervistë për Flashscore, trajneri brazilian ka zbuluar se vendimi ishte diskutuar paraprakisht me presidentin e FSHF-së, Armando Duka, ndërsa të dyja palët kishin arritur në përfundimin se bashkëpunimi kishte ardhur në pikën e tij të fundit.
“Ne e kishim folur tashmë këtë me presidentin dhe menduam se ishte fundi i një cikli. Federata ishte rritur shumë, ne ishim rritur shumë dhe erdhi një pikë kur të dyja palët menduan se nuk kishte asgjë më shumë për të shtuar”, ka deklaruar Sylvinho.
Ai ka vlerësuar lart marrëdhënien me Dukën, duke theksuar se presidenti i FSHF-së e njihte mirë punën e bërë nga stafi teknik gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit.
“Presidenti, Armando Duka, është një person shumë inteligjent. Ishte një marrëveshje shumë e mirë midis të dyja palëve dhe ai e dinte punën që kishim bërë atje çdo ditë, punën e palodhur”, ka thënë braziliani.
Për të ilustruar marrëdhënien e mirë me drejtuesit e federatës, Silvinjo ka rrëfyer edhe një episod nga koha kur ishte në krye të Shqipërisë, duke kujtuar një të shtunë kur Duka kishte kërkuar praninë e stafit në federatë për të diskutuar disa çështje.
“Ne thamë: ‘Por ne nuk punojmë të shtunave’. Dhe ai tha: ‘E di, por më duhen katër persona këtu për të folur’. Kështu që uleshim rreth një tavoline dhe të gjithë vinin të lumtur. Katër orë të tjera pune, pa problem. Gjithmonë ishte kështu”, ka rrëfyer ai.
Në fund, ish-përzgjedhësi kuqezi e ka përshkruar raportin me FSHF-në si një marrëdhënie të bukur, duke nënvizuar se ndarja nuk erdhi si rezultat i një përplasjeje, por si përfundim i natyrshëm i një periudhe që, sipas tij, kishte dhënë atë që mund të jepte.
“Ky është lloji i marrëdhënies që kishim. Ishte një marrëdhënie e bukur dhe në fund të fundit ishte fundi i një cikli për të dyja palët”, ka përfunduar Sylvinho.
Sylvinho paralajmëron rikthimin në futbollin e klubeve
Trajneri brazilian Sylvinho është shprehur i gatshëm për t’u rikthyer në futbollin e klubeve, duke zbuluar se Evropa mbetet destinacioni i tij i preferuar për kapitullin e ardhshëm të karrierës.
Pasi u largua nga Shqipëria, Sylvinho ka thënë se ndihet i përgatitur për një projekt të ri, me kusht që klubi të ketë objektiva të qarta dhe ambicie për t’u zhvilluar.
“Teknikisht dhe personalisht, ndihem shumë i përgatitur për hapin tjetër. Kam një brazilian, një argjentinas, një italian dhe kombësi të tjera në stafin tim, kështu që kemi një grup shumë ndërkombëtar. Me gjuhët që flasim, mund të punojmë në Portugali, Spanjë, Angli, shumë vende të tjera evropiane, Amerikën e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë”, ka thënë Sylvinho.
Ai ka theksuar se përvoja e fituar e ka ndihmuar të ndihet gati për sfida të reja, duke mos përjashtuar as mundësitë jashtë Evropës.
“Jam ende i ri dhe ka shumë gjëra që ende duhet të mësoj, por jeta më ka dhënë shumë. Kështu që ndihem i përgatitur të punoj në Evropë, në botën arabe, në Brazil apo edhe në Japoni. Sigurisht, Evropa është përparësia. Është Meka e futbollit, ku loja vazhdon të zhvillohet në nivelin më të lartë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, trajneri brazilian ka bërë të qartë se nuk do të nxitohet në zgjedhjen e destinacionit të ardhshëm, duke pritur një mundësi që përputhet me ambiciet e tij.
“Tani duhet të presësh momentin e duhur. Mundësia ideale do të vijë. Është pak si jeta. Mund të përgatitesh, por duhet të presësh edhe momentin e duhur”, është shprehur ai.
Sylvinho ka nënvizuar se synon të marrë drejtimin e një klubi me një projekt të mirëfilltë dhe kushte për të ndërtuar diçka afatgjatë.
“Pra, po, ndihem shumë i përgatitur për një klub që ka një projekt të qartë, dëshiron të zhvillohet, dëshiron të ndërtojë diçka dhe ka kushtet për ta bërë këtë. Dhe do të doja ta bëja këtë në Evropë”, ka përfunduar Sylvinho. /KosovaPress/