ZPS kërkon që Thaçit të mos i llogaritet paraburgimi në rastin për pengim të drejtësisë
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Aleanca ka ritheksuar kërkesën që Kuvendi i Kosovës të ketë një deklarim politik lidhur me çlirimtarët që ndodhen në Hagë.
Tahiri ka thënë se deklarimi mund të jetë në formën e një deklarate ose rezolute, ndërsa ka bërë të ditur se gjatë takimit të Kryesisë ka shprehur edhe mbështetjen për nismën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me ligjin që, sipas tij, tashmë ndodhet në Qeveri.
“Aleanca në këtë takim e ritheksoi atë që e ka thënë para tre ditësh: nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë një deklarim politik, deklaratë apo rezolutë, e cila do të denonconte dhe, në të njëjtën kohë, do të kërkonte drejtësi për katër çlirimtarët tanë në Hagë. Këtë kërkesë e theksova në seancën, respektivisht takimin e Kryesisë, por në të njëjtën kohë i dhashë mbështetje Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në nismën e tyre për ligjin që tanimë është në Qeveri”, tha Tahiri.
Ai ka deklaruar se Aleanca do të mbështesë iniciativat që synojnë, sipas tij, të ndihmojnë drejtësinë dhe kthimin e krerëve shtetërorë në Kosovë. Në të njëjtën kohë, Tahiri ka kërkuar që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe të funksionalizohen komisionet parlamentare.
“Aleanca çfarëdo iniciative e cila do të sjellë, do të ndihmojë drejtësinë dhe kthimin e çlirimtarëve në Kosovë, do ta mbështesë. Në të njëjtën kohë, në këtë takim kërkova që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi, të themelohen komisionet dhe të veprojmë sa më shpejt që është e mundur, për shkak se kemi humbur shumë. Mandatet e deputetëve na i kanë marrë, na i kanë marrë për disa muaj për shkak se u pa edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por, në anën tjetër, e kemi parë që kemi një afat shumë të shkurtër. Na kanë mbetur edhe 10 ditë deri te vendimi për presidentin, respektivisht për të shkuar apo mos shkuar në zgjedhje”, ka thënë ai.
Në deklarimin e tij pas mbledhjes së Kryesisë, Tahiri ka folur edhe për nevojën për qëndrueshmëri politike dhe për mbështetjen institucionale ndaj personave që ndodhen në Hagë.
“Kosova ka nevojë për qëndrueshmëri politike, e më së shumti kanë nevojë ata burra që janë në Hagë për mbështetje serioze, institucionale dhe shtetërore”, tha ai. /RTKlive