Dita Ndërkombëtare e Paqes, një vlerë që e dimë sa shumë kushton

Në një botë ku konfliktet, tensionet dhe pasiguria vazhdojnë të jenë pjesë e realitetit të përditshëm, Dita Ndërkombëtare e Paqes vjen këtë vit me një mesazh të qartë: “Investoni në paqe për të gjithë, kudo.” Një thirrje që merr kuptim të veçantë në shoqëritë që e kanë njohur luftën dhe pasojat e saj. Për Kosovën, paqja nuk është vetëm një koncept ndërkombëtar apo një datë që shënohet në kalendar.

Është kujtesë dhe përvojë. Një popull që e ka njohur luftën, shpërnguljen, humbjen dhe pasigurinë, e di më mirë se sa e çmuar është një ditë e qetë. Sot, kur gati po përmbyllim dekadën e tretë të pasluftës, paqja reflektohet në jetën e përditshme. Por kujtesa e së kaluarës mbetet dhe pikërisht ajo na mëson se paqja nuk duhet të merret si diçka e përhershme dhe e garantuar.

E në një kohë kur në pjesë të ndryshme të botës vazhdojnë luftërat dhe tensionet, pyetja se sa e qëndrueshme është paqja bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Sepse një konflikt nuk nis gjithmonë me armë. Ndonjëherë nis me fjalë që ndajnë, me urrejtje që normalizohet, me mosbesim dhe me mungesë dialogu. Prandaj, investimi në paqe do të thotë të investosh në dialog, në edukim, në tolerancë dhe në një shoqëri ku dallimet nuk bëhen arsye për përplasje.

Kosova e di nga përvoja se çfarë ka ndodhur kur paqja i ka munguar. Prandaj, ruajtja e saj është përgjegjësi e institucioneve, por edhe e secilit prej nesh sepse paqja nuk është vetëm të mos ketë luftë. Dhe për një shoqëri që e ka paguar shtrenjtë mungesën e saj, ta ruash paqen do të thotë të ruash jetën, lirinë dhe të ardhmen. Ajo fillon nga mënyra se si sillemi me njëri-tjetrin, nga respekti, toleranca dhe përgjegjësia për të mos e trazuar qetësinë e tjetrit. Por bota ende dëshmon se paqja shpesh mbetet nën hije. Konfliktet, urrejtja, dhuna dhe vendimet e gabuara të njerëzve vazhdojnë ta trazojnë atë. Edhe Kosova, një vend që e njeh mirë çmimin e paqes, nuk është gjithmonë larg tensioneve që e vënë atë në provë. Shpesh janë pikërisht veprimet, fjalët e ashpra, përplasjet dhe intoleranca mes njerëzve, ato që krijojnë pasiguri dhe trazojnë një shoqëri që ende e mban të freskët kujtesën e luftës. Prandaj, Dita Ndërkombëtare e Paqes, nuk është vetëm një thirrje për botën. Është edhe një kujtesë për secilin prej nesh, kjo pasi paqja duhet të ruhet çdo ditë, me fjalën që zgjedhim, me sjelljen që tregojmë dhe me gatishmërinë për të mos lejuar që dallimet të kthehen në përçarje. /Eldita Mullahasani – tvsyrivision/

Read Previous

Protestë në Skenderaj kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Read Next

Përparim Rama bën thirrje për unitet kombëtar: Të jemi një, të jemi bashkë!