Protestë në Skenderaj kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Të rinj e të moshuar janë mbledhur këtë të hënë në qytetin e Skenderajt, për të protestuar kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta vjen disa ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli të katër ish-krerët fajtorë për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Sipas gjykatës, përgjegjësia penale lidhet me raste ndaj 385 personave për ndalim arbitrar, 49 personave për trajtim mizor, 303 personave për torturë dhe 96 personave për vrasje.

Për këto vepra, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në dënime llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në të njëjtin aktgjykim, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi vlerësoi se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile. Ata gjithashtu u shpallën të pafajshëm në lidhje me disa incidente të veçanta të krimeve të luftës.

Çështja gjyqësore ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhet me ngjarje të periudhës nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë veriore. Sipas aktakuzës, bëhej fjalë për krime të pretenduara ndaj civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Procesi gjyqësor kishte nisur më 3 prill 2023, ndërsa paraqitja e provave u përmbyll më 18 dhjetor 2025. Në proces dëshmuan 134 dëshmitarë, ndërsa në çështje morën pjesë 156 viktima. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026.

Katër ish-krerët e UÇK-së ishin transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020, pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktgjykimi i 16 shtatorit është i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të zhvillohet procedura e apelit. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar kundërshtimin e vendimit në shkallën e dytë.

Ndërkohë, vendimi ka nxitur protesta në Kosovë. Pas shpalljes së aktgjykimit janë zhvilluar protesta në Prishtinë, ndërsa tubime kundër vendimit janë organizuar edhe në qytete të tjera të Kosovës. Protesta është zhvilluar edhe në Skenderaj, ku qytetarë të moshave të ndryshme kanë shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale. /tvsyrivision/

Read Previous

“Nuk po kërkojmë zhbërjen e Speciales”, Rrahmani shpjegon nismën e PDK-së

Read Next

Dita Ndërkombëtare e Paqes, një vlerë që e dimë sa shumë kushton