Filmi “DUA” përmes syve të një vajze të pasluftës

Ekziston një hendek mes atyre që e përjetuan luftën e fundit në Kosovë dhe brezit që lindi në paqe. Për ne që nuk e kemi jetuar atë kohë, lufta është ndërtuar nga rrëfimet e prindërve, dokumentarët, arkivat televizive dhe fotografitë bardhezi.

Por, sapo dritat e kinemasë u fikën dhe nisi filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, ky hendek nisi të ngushtohej.

Për 101 minuta, filmi na çon në Prishtinën e fundviteve ’90, aty ku fëmijëria përplaset me frikën dhe dëshirat më të zakonshme të një adoleshenteje bëhen të vështira për t’u jetuar.

Në qendër të filmit është Dua, e luajtur nga Pinea Matoshi. Një vajzë me ëndrra të zakonshme për moshën e saj: të qeshë, të dalë me shoqet, të dashurojë dhe të ndërtojë një të ardhme në qytetin e saj. Por jashtë, Prishtina nuk është më qyteti ku ajo mund të lëvizë e lirë. Rrugët kthehen në vende frike, ku duhet të vrapojë për t’u shpëtuar forcave serbe.

Këtu qëndron një prej kontrasteve më të forta të filmit, një vajzë që kërkon të jetojë si gjithë të tjerët, në një kohë që ia mohon edhe këtë të drejtë.

Edhe xhudoja merr një kuptim tjetër. Nuk është thjesht sport, as vetëm pasion. Është përgatitje për një realitet ku Duas mund t’i duhet të mbrojë veten. Është një fëmijëri që detyrohet të mësojë të luftojë, para se të ketë mundësi të jetojë.

Një nga skenat më të rënda është ajo kur Dua sheh babanë e saj duke u rrahur brutalisht nga paramilitarët serbë.

Në atë moment, nuk sheh vetëm dhunën ndaj një burri.

Sheh pafuqinë e një fëmije që nuk mund ta mbrojë njeriun e vet.

Dhe ndjen pafuqinë e një familjeje të zakonshme, të pambrojtur, përballë një dhune që nuk njihte as ligj, as mëshirë.

Por mes gjithë kësaj dhimbjeje, filmi lë vend edhe për një ndjenjë që nuk shuhet, solidaritetin.

Maki, vajza e zhvendosur nga Drenica, bart me vete kujtimin e një shtëpie të djegur dhe mungesën e babait, i cili i është bashkuar UÇK-së. Nga ai i ka mbetur ora e dorës. Kur Dua ka nevojë për para për të shlyer një borxh, Maki ia jep orën.

Për të, ajo nuk është thjesht orë. Është kujtimi i të atit, një copëz e jetës që lufta ia ka lënë pas. Dhe megjithatë, ajo zgjedh ta ndajë me shoqen.

Filmi përcjell mesazhin e tij më të fuqishëm. Edhe atëherë kur lufta djeg e shkatërron çdo gjë materiale, ekziston diçka që asnjë zjarr nuk mund ta shkrumbojë dorën e shtrirë drejt tjetrit.

Brenda mureve të shtëpive, lufta merrte një tjetër formë, pritjen. Familjet mblidheshin çdo natë para televizorit, me sytë ngulur në ekran.

Prisnin një lajm. Një shpresë. Një shenjë se makthi mund të merrte fund.

Prisnin ditën kur dikush do t’ua kthente atë që lufta ua kishte marrë, lirinë.

Dhe pastaj vjen një nga ato skena që të mbetet gjatë në mendje.

Dy motra këndojnë “Brazen”të grupit Skunk Anansie, ndërsa në dhomën tjetër nëna qan në heshtje.

Dy dhoma, dy botë: njëra përpiqet të ruajë një copëz rinie, tjetra përjeton dhimbjen e një nëne që nuk mund t’i mbrojë fëmijët nga gjithçka.

Ky kontrast nuk ka nevojë për shumë shpjegime. Ai e tregon luftën nga brenda një familjeje: të rinjtë që përpiqen të mos e humbin veten dhe prindërit që jetojnë me frikën se mund të humbin gjithçka.

“DUA” nuk është vetëm një film për luftën. Është një film për fëmijërinë që u ndërpre, për miqësinë që u bë mbështetje dhe për përpjekjen për të ruajtur diçka njerëzore, kur gjithçka përreth të shtyn drejt frikës.

Për mua, si një vajzë që ka lindur pas luftës, filmi e bëri lirinë më të prekshme. Ajo nuk më dukej më thjesht një fjalë, as një realitet që ka qenë gjithmonë aty.

Ajo mori fytyrën e Duas që vrapon për të shpëtuar. Të nënës që qan në heshtje. Të Makit që ndan kujtimin e vetëm të babait. Të dy motrave që këndojnë, edhe kur bota jashtë nuk u lë shumë arsye për të kënduar.

Blerta Basholli na kthen pas në një kohë që brezi im nuk e ka jetuar, por që nuk duhet ta harrojë. Jo për të mbetur peng i dhimbjes, por për të kuptuar se liria që sot e jetojmë, dikur ishte ëndrra e dikujt tjetër.

Dola nga salla me një peshë në kraharor dhe me një mirënjohje të thellë për një liri që nuk e fitova vetë, por që kam fatin ta jetoj.

“DUA” është një film që brezi i pasluftës duhet ta shohë. Jo vetëm për të kuptuar çfarë ndodhi, por për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë. /Diella Haxhikadrija – tvsyrivision/

Read Previous

PDK propozon ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Read Next

Studentët marshojnë në Prishtinë kundër kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së