Mbahen zgjedhjet në dy lande të tjera gjermane, Merzi nën presion të fortë

Po mbahen të dielën zgjedhje lokale në dy lande të tjera gjermane, të cilat mund të shtojnë presionin politik mbi kancelarin, Friedrich Merz.

Sondazhet në Berlin dhe në landin e Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore tregojnë se Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) i Merz-it rrezikon të pësojë humbje të rënda, çka do të ngrinte pikëpyetje të reja mbi të ardhmen e kancelarit.

Këto zgjedhje vijnë pasi partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) arriti një fitore të madhe në landin e Saksonisë-Anhalt dy javë më parë, ndërsa CDU-ja pa numrin e votave të saj të përgjysmohej.

Në Gjermani ka pasur spekulime se Merzi mund të zëvendësohet në postin e kancelarit para përfundimit të mandatit, nëse nuk përmirësohet situata politike e CDU-së.

Ai ka deklaruar se do të vazhdojë detyrën, por përballet me nivele të ulëta mbështetjeje mes zërave për një të ashtuquajtur ndërrim të kancelarit, ndonëse rivalët e tij “ende hezitojnë”, siç raporton faqja gjermane e lajmeve Tagesschau.

Sipas sondazheve, konservatorët e Merzit mund ta humbasin pushtetin në Berlin, pasi po garojnë kokë më kokë me partinë “Die Linke” (E Majta) për vendin e parë.

Ndërkohë, në landin verilindor të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore, CDU-ja mezi po qëndron mbi pragun prej 5% të nevojshëm për hyrjen në parlamentin e landit. Kjo mund të rezultojë në humbjen më të rëndë të tyre ndonjëherë në zgjedhjet e një landi.

Friedrich Merzit po i duhet të japë llogari për rënien e popullaritetit të partisë së tij, ndërsa forca politike që ai synonte të kundërshtonte, AfD-ja, vazhdon të rritet.

Disa degë të AfD-së klasifikohen si ekstremiste të djathta nga shërbimet e brendshme të inteligjencës, një etiketim që vetë partia e hedh poshtë me forcë.

Megjithatë, agjenda e saj kundër emigracionit, pro-ruse dhe me parimin “Gjermania e para”, ka gjetur terren pjellor në zonat e ish-Gjermanisë Lindore komuniste.

AfD-ja shpreson të përfitojë nga fitorja e saj dërrmuese e kohëve të fundit në Saksoni-Anhalt, duke kryesuar sondazhet edhe në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore.

Megjithatë, partia socialdemokrate (SPD) e qendrës së majtë ka bërë një rikthim të vonshëm dhe po garon për vendin e parë përmes kandidates së saj kryesore, Manuela Schwesig.

Schesig, e cila aktualisht mban postin e kryeministres së landit, po përpiqet të tërheqë votat kundër AfD-së, duke u prezantuar si “Die Frau gegen Blau” – “Gruaja kundër së Kaltrës” (ngjyra që përfaqëson AfD-në). Por popullariteti i saj në nivel lokal bie në kundërshtim me gjendjen shumë më të dobët të partisë së saj në nivel kombëtar, e cila është e ngujuar në një koalicion pa dashuri me CDU-në e Merzit.

Read Previous

Koreja e Veriut lëshon raketë balistike në brigjet lindore, thotë Japonia

Read Next

Nafta në Zvicër arrin rekord, ekspertët: Çmimi mund të shkojë deri në 3 franga për litër