BE: Afrimi me Kanadanë nuk është kundër askujt

Komisioni Evropian reagoi sot ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja ndaj BE-së, duke theksuar se forcimi i marrëdhënieve me Kanadanë “nuk është kundër askujt”.

“Fuqizimi i propozuar i partneritetit tonë nuk është kundër askujt, por për forcën tonë të përbashkët”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Reagimi i Brukselit erdhi pasi Trump kërcënoi me tarifa të tjera ndaj BE-së, nëse blloku do të ndërmerrte hapa për ta afruar Kanadanë si “anëtare të asociuar”.

Një status i tillë aktualisht nuk ekziston në traktatet e BE-së.

Presidenti Trump e cilësoi mundësinë si një veprim që mund të ishte “armiqësor” dhe paralajmëroi se SHBA-ja mund të vendoste “tarifa shumë të rënda” ndaj Evropës, madje edhe të kufizonte tregtinë me të në disa sektorë.

Presidenti amerikan e quajti gjithashtu mundësinë e afrimit të Kanadasë me BE-në “qesharake” dhe kritikoi marrëdhëniet tregtare me Kanadanë.

Kryeministri kanadez Mark Carney, ndërkohë, e mirëpriti propozimin evropian për krijimin e një “aleance shumë më të fortë dhe më ambicioze” në të ardhmen.

Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt anëtarësimin e asociuar.

Carney ka kërkuar forcimin e lidhjeve me BE-në, partnerin e dytë më të madh tregtar të Kanadasë, në një kohë kur marrëdhëniet tregtare me SHBA-në, partnerin e saj kryesor ekonomik, janë tensionuar ndjeshëm gjatë presidencës së Trumpit. /ATSH-DPA/

Read Previous

​OVL-UÇK thërret protestë për nesër

Read Next

Zbulohen detaje të reja të Superkupës së Spanjës