GLPS: Të gjithë të bashkohemi për ta mbrojtur dinjitetin e UÇK-së dhe Kosovës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur zhgënjim të thellë me aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit duke e vlerësuar atë si një nga momentet më të rënda dhe më të ndjeshme për shoqërinë kosovare.

“Për një popull që ende jeton me dhimbjen e luftës, që vazhdon të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të zhdukurit dhe që e ka përjetuar luftën si një përpjekje për çlirim nga një regjim agresor dhe shtypës, ky aktgjykim nuk mund të trajtohet si një vendim i zakonshëm gjyqësor. Ai prek drejtpërdrejtë kujtesën kolektive, dinjitetin e viktimave dhe shtetin tone”, thuhet në një reagim të këtij grupi, transmeton KosovaPress.

GLPS ka kërkuar që përfundimet e shkallës së parë të shqyrtohen me paanshmëri dhe rigorozitet nga Dhoma e Apelit.

Sipas këtij grupi, pozita politike ose ushtarake nuk mund ta përcaktojë automatikisht fajësinë e një personi. Përgjegjësia, siç thuhet në reagim, duhet të vërtetohet me prova bindëse dhe përmes një procesi të drejtë.

“Presim që Dhoma e Apelit të luajë rolin e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme”, thuhet në reagim.

GLPS vlerëson se aktgjykimi duhet të shihet në kontekstin e plotë të luftës në Kosovë. Po ashtu, kërkon të merret parasysh trajtimi i zyrtarëve të lartë serbë për krimet ndaj popullsisë civile.

“E drejta ndërkombëtare nuk mund të funksionojë mbi standarde të dyfishta”, thekson organizata.

Në reagim janë ngritur shqetësime edhe për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor, trajtimin e provave dhe respektimin e të drejtave të njeriut. GLPS pretendon se këto çështje duhet të trajtohen gjatë procedurës së ankimimit.

Organizata thekson se respektimi i pavarësisë së gjyqësorit nuk përjashton kritikën e bazuar në fakte. Sipas saj, gabimet eventuale duhet të korrigjohen përmes mjeteve ligjore.

“Lufta e UÇK-së ishte rezistencë dhe luftë për çlirim nga një regjim shtypës dhe agresor”, thuhet në reagim.

GLPS ka bërë thirrje për unitet institucional dhe shoqëror gjatë procesit të apelit. Institucioneve të Kosovës u është kërkuar mbështetje për një proces të rregullt, profesional dhe të drejtë.

“Në një moment kaq të ndjeshëm, uniteti, maturia institucionale dhe mbështetja e fuqishme për një proces ligjor të drejtë janë thelbësore. Ky moment nuk kërkon përçarje, por qetësi dhe bashkim rreth parimeve të drejtësisë, të së vërtetës, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së dhe të mbrojtjes së dinjitetit të Kosovës”, thuhet në fund të reagimit. /KosovaPress/

Read Previous

Çitaku: Si shtet të reagojmë shpejt, seriozisht e institucionalisht

Read Next

​Kush është shqiptari që Klopp e ftoi në kombëtaren e Gjermanisë?