Vendimi i Speciales, Peleshi: Nuk i njollos dot heronjtë e Kosovës dhe luftën e saj
Vendimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është i shkallës së parë.
Dhe historia e drejtësisë penale ndërkombëtare tregon se mes një vendimi të tillë dhe atij përfundimtar mund të ketë diferenca dramatike. Rasti më i njohur është ai i gjeneralit kroat Ante Gotovina.
Më 15 prill 2011, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e dënoi Gotovinën me 24 vjet burg, ndërsa Mladen Markaçin me 18 vjet.
Gjykata e shkallës së parë kishte arritur në përfundimin se ata kishin marrë pjesë në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, qëllimi i së cilës ishte largimi i përhershëm dhe me forcë i popullsisë civile serbe nga Krajina gjatë dhe pas operacionit “Stuhia”.
Por më 16 nëntor 2012 gjithçka ndryshoi.
Nga 24 vjet në liri
Dhoma e Apelit konstatoi fillimisht se shkalla e parë kishte gabuar në përdorimin e të ashtuquajturit “standard 200 metra”, mbi të cilin ishte mbështetur për të përcaktuar paligjshmërinë e goditjeve të artilerisë.
Nga rrëzimi i këtij përfundimi ra një hallkë tjetër.
Shumica e gjyqtarëve të Apelit arriti në përfundimin se nuk qëndronte konstatimi se sulmet e artilerisë të urdhëruara nga Gotovina dhe Markaç ishin të paligjshme.
Dhe më pas ra edhe elementi vendimtar: konkluzioni për ekzistencën e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale që synonte largimin me forcë të civilëve serbë nga Krajina.
Rezultati ishte dramatik.
Të gjitha dënimet ndaj Gotovinës dhe Markaçit u rrëzuan. Të dy u shpallën të pafajshëm dhe Gjykata urdhëroi lirimin e tyre të menjëhershëm. Vendimi u mor me shumicë, me dy nga pesë gjyqtarët në pakicë.
Po me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin?
Këtu paralelja bëhet interesante, por jo automatike.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara e ka mbështetur një pjesë thelbësore të përgjegjësisë së katër ish-krerëve të UÇK-së pikërisht te Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale – JCE.
Sipas vendimit të shkallës së parë, ekzistonte një qëllim i përbashkët për të shënjestruar dhe neutralizuar persona të konsideruar “kundërshtarë”, ndërsa Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kontribuuan në realizimin e tij.
Kjo është arsyeja pse beteja e Apelit mund të mos përqendrohet vetëm te pyetja nëse krimet kanë ndodhur.
Pyetja shumë më e rëndësishme është: A është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm lidhja individuale e secilit prej katër të dënuarve me qëllimin e përbashkët kriminal?
Nëse mbrojtja arrin të godasë hallkat mbi të cilat është ndërtuar ky përfundim – ekzistencën e qëllimit të përbashkët, dijeninë, synimin dhe kontributin individual – atëherë mund të vihet në diskutim edhe përgjegjësia që buron prej tij.
Dhe këtu rasti Gotovina është ilustrues.
Nuk mjaftoi që krime të ishin kryer gjatë dhe pas operacionit “Stuhia”.
Për dënimin e Gotovinës duhej të qëndronte edhe konstruksioni juridik që e lidhte atë personalisht me JCE-në. Kur një pjesë thelbësore e këtij konstruksioni ra në Apel, ranë përfundimisht edhe dënimet e tij.
Por Gotovina nuk është garanci për të njëjtin rezultat
Ka një dallim thelbësor.
Rasti Gotovina u gjykua nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dosjet, provat dhe arsyetimi juridik janë të ndryshme.
Apeli gjithashtu nuk është një gjykim i ri nga zero.
Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, mbrojtja duhet të identifikojë gabime konkrete juridike, faktike ose në përcaktimin e dënimit dhe të tregojë ndikimin që këto gabime kanë pasur mbi aktgjykimin.
Një gabim juridik duhet të jetë i tillë që cenon vlefshmërinë e vendimit, ndërsa një gabim faktik duhet të ketë sjellë dështim të drejtësisë.
Pikërisht këtu pritet të zhvillohet beteja e ardhshme.
Dhe vendimi i sotëm ofron material të rëndësishëm për të.
Trupi gjykues rrëzoi të gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi nuk e konsideroi të provuar elementin e sulmit kundër një popullsie civile, por njëkohësisht konstatoi një plan të përbashkët kriminal të zbatuar sistematikisht kundër personave të konsideruar “kundërshtarë”.
Nëse dhe në çfarë mase ky arsyetim, së bashku me provat që lidhin individualisht secilin prej katër ish-krerëve të UÇK-së me JCE-në, do t’i rezistojë kontrollit të Apelit, është tashmë një nga pyetjet kryesore të procesit.
Rasti Gotovina tregon një gjë: 24 vjet burg në shkallën e parë nuk ishin fjala e fundit e Hagës.
Por nëse historia mund të përsëritet për ish-krerët e UÇK-së, këtë do ta përcaktojnë gabimet që mbrojtja arrin të identifikojë dhe provat mbi të cilat është ndërtuar vendimi i 16 shtatorit. /Albanianpost.com