Berisha: Vendimi i Hagës nuk e errëson luftën çlirimtare të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Berisha e cilësoi këtë një ditë të vështirë për shqiptarët, familjet e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe Kosovën. Sipas tij, vendimet e gjykatës nuk mbështeten, në vlerësimin e tij, në prova konkrete.

“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit”, tha Berisha.

Kreu i PD-së i cilësoi dënimet si të padrejta dhe tha se ish-udhëheqësit politikë të UÇK-së dhe Kosovës, sipas tij, duhej të ishin shpallur të pafajshëm.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta”, u shpreh ai.

Berisha deklaroi gjithashtu se vendimi i Gjykatës Speciale nuk mund të zbehë, sipas tij, luftën e UÇK-së dhe rolin e saj në çlirimin e Kosovës.

“Asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut”, tha Berisha.

Ai shtoi se UÇK-ja, së bashku me mbështetjen e NATO-s, kontribuoi në çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike. /Albanianpost.com

Read Previous

Spiropali: Po dënohet lufta çlirimtare, Shqipëria dhe Kosova të miratojnë rezolutë të përbashkët

Read Next

Gogu pas vendimit në Hagë: Moment i rëndë për Kosovën dhe shqiptarët kudo