OpenAI po shqyrton “ngadalësimin” e zhvillimit të inteligjencës artificiale të avancuar
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se prania e zyrtarëve të lartë serbë në varrimin e Ratko Mlladiqit është për keqardhje të thellë, duke e cilësuar atë si tregues të dështimit për t’u përballur me kapitujt e errët të historisë së Evropës së re.
Kos i bëri këto komente në përgjigje të eurodeputetes kroate Zheljana Zovko, e cila i ishte drejtuar asaj lidhur me glorifikimin e Mlladiqit.
“Komisioni Evropian, përfshirë edhe mua personalisht, ka bërë të qartë se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës është i papajtueshëm me vlerat e Bashkimit Evropian”, deklaroi Kos.
Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republika Srpskas, i dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë për gjenocid dhe krime lufte, u varros më 7 shtator në varrezat Topçider në Beograd.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe ministra serbë, lideri i koalicionit qeverisës në Republika Srpska, Milorad Dodik, djali i presidentit të Serbisë, Danilo Vuçiq, si dhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Sipas Kos, glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi nuk kanë vend as në BE dhe as në vendet kandidate për anëtarësim.
“Jemi solidarë me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre. Prandaj, elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrimin e Ratko Mlladiqit janë thellësisht për të ardhur keq. Ato tregojnë dështimin në përballjen me një kapitull të errët të historisë së re evropiane”, tha ajo.
Komisionerja evropiane i bëri thirrje autoriteteve të Serbisë dhe të gjithë aktorëve në Ballkanin Perëndimor që të respektojnë dinjitetin e viktimave, të veprojnë me përgjegjësi dhe të punojnë për pajtim të vërtetë dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Kos tha se mbetet e bindur se përparimi i Serbisë në rrugën drejt BE-së, në përputhje me kriteret në fuqi, do të ishte në interes të BE-së, Serbisë dhe gjithë rajonit.
Ajo theksoi se zgjerimi i BE-së është proces i bazuar në merita dhe se përparimi vlerësohet në të gjitha fushat e politikave të BE-së, përfshirë edhe çështjet themelore.
“Fundi i tetorit do të sjellë vlerësimin tonë të radhës në kuadër të raportit vjetor për zgjerimin, dhe zhvillimet relevante për rrugën evropiane të Serbisë do të merren parasysh në të”, tha Kos.
Sipas saj, vendimet e mëtejshme për hapat konkretë në procesin e anëtarësimit të Serbisë janë në duart e Këshillit të BE-së.
Kos gjithashtu bëri të ditur se kohët e fundit nuk janë ndërmarrë hapa drejt integrimit të Serbisë në zonën Schengen.