OpenAI po shqyrton “ngadalësimin” e zhvillimit të inteligjencës artificiale të avancuar
Sipas një fiziologu sportive danez, përdorimi i rrjeteve sociale pak para ushtrimeve mund të shkaktojë lodhje mendore dhe të ulë ndjeshëm performancën fizike, transmeton Anadolu.
Lars Johansen, fiziolog sportiv në institucionin shtetëror Team Denmark, për transmetuesin publik DR tha se studimet kanë treguar se përdorimi i rrjeteve sociale para një aktiviteti mund të ndikojë negativisht në performancë.
“Studimet tregojnë qartë se përdorimi i rrjeteve sociale para një aktiviteti e përkeqëson ndjeshëm performancën tuaj”, tha Johansen, i cili prej katër vitesh studion lidhjen mes rrjeteve sociale dhe performancës.
Sipas tij, përdorimi i rrjeteve sociale e lodh mendërisht trurin, duke i bërë njerëzit të ndihen të rraskapitur dhe më pak të motivuar.
Team Denmark ka ndjekur studimet e publikuara në revista ndërkombëtare që nga viti 2022. Një studim krahasoi atletët që përdorën rrjetet sociale për 30 minuta para se t’i nënshtroheshin testit të kondicionit fizik “yo-yo” me një grup kontrolli që kishte parë televizion tradicional.
Atletët që përdorën rrjetet sociale shënuan performancë 10 për qind më të dobët, që korrespondonte me një rënie prej gati 4 për qind në rezultatin e tyre të kondicionit fizik.
“Nëse e krahasojmë përkeqësimin e kapacitetit fizik, ai është i barabartë me pirjen e 3-4 cigareve para se të kryeni aktivitetin”, tha Johansen.
Sportistja olimpike daneze e curlingut, Madeleine Dupont, tha se ekipi i saj ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale para stërvitjeve dhe ndeshjeve gjatë Lojërave Olimpike Dimërore 2026 në Milano-Cortina.
“Ndjenim se na e largonte përqendrimin nga performanca dhe në fakt ishte një vendim i lehtë pasi kuptuam se sa i madh mund të jetë ndikimi i rrjeteve sociale”, tha ajo.
Johansen tha se efektet nuk kufizohen vetëm te atletët elitarë, por mund të ndikojnë edhe në aktivitetet fizike rekreative dhe në veprimtaritë që kërkojnë përqendrim mendor, përfshirë intervistat për punë.
Ai nuk rekomandoi ndalimin e plotë të rrjeteve sociale, duke e cilësuar atë “jorealist” për shumicën e njerëzve. Në vend të kësaj, këshilloi shmangien e rrjeteve sociale në orët para stërvitjeve, garave ose aktiviteteve të tjera që kërkojnë performancë të lartë fizike apo mendore. /Anadolu Agency/