​Nico Paz hyn në historinë e Ligës së Kampionëve, arrin rekordin e Messit

Nico Paz ka shkëlqyer në debutimin historik të Comos në Ligën e Kampionëve, duke dhënë dy asistime në fitoren e thellë 4-1 ndaj RB Leipzigut. Argjentinasi ishte një prej protagonistëve kryesorë të një nate historike për klubin italian, i cili e nisi aventurën në Champions me një fitore bindëse.

Për Pazin, kjo paraqitje kishte edhe një rëndësi të veçantë personale. Me dy asistimet e tij, ai u bë argjentinasi më i ri që arrin këtë shifër në një ndeshje të Championsit që nga Lionel Messi në vitin 2008.

Ndeshja ndaj Leipzigut ishte edhe një tjetër dëshmi e rëndësisë që Paz ka fituar te Como. 22-vjeçari, i formuar te Real Madridi, kontribuoi në suksesin 4-1 në një mbrëmje që tashmë është pjesë e historisë së klubit italian.

Pas ndeshjes, Paz tha se nuk është penduar për vendimin për të vazhduar karrierën në Itali, duke e cilësuar Comon vendin e duhur për zhvillimin e tij si futbollist.

Për Comon, fitorja ndaj Leipzigut ishte historike, pasi bëhej fjalë për ndeshjen e parë të klubit në Ligën e Kampionëve. Për Pazin, ndërkaq, kjo ishte një tjetër paraqitje që e vendos emrin e tij gjithnjë e më shumë pranë elitës së futbollit evropian. /KosovaPress/

Read Previous

​Avokati i Popullit kundërshton kthimin retroaktiv të pagave pas uljes së koeficienteve

Read Next

Mbi 350 satelitë për Evropën! BE-ja nis garën për dominimin e hapësirës