Nico Paz hyn në historinë e Ligës së Kampionëve, arrin rekordin e Messit
Kimi Antonelli mbërrin në Madrid, për garën Çmimit të Madh të Spanjës në Formula 1 në formën më të mirë të gjithë sezonit. Italiani kryeson renditjen e me një avantazh prej 66 pikësh ndaj rivalit të tij më të afërt, shokut të skuadrës te Mercedes, George Russell.
Ai vjen pas një fitoreje të paharrueshme në Monza, një garë ku fitoi edhe zemrat e tifozëve të Ferrari. “Ishte e mrekullueshme për mua të shihja kaq shumë tifozë të Ferrari duke brohoritur dhe thirrur emrin tim ndërsa isha në podium, madje edhe gjatë garës,” tha Antonelli.
“Mendoj se tifozët bënë diferencën, sepse në dhjetë apo pesëmbëdhjetë xhirot e fundit, sa herë që dilja nga kthesa e parë, shihja tribunat në të djathtë dhe vija re se të gjithë ngriheshin në këmbë ndërsa kaloja”, tha Antonelli.
Pavarësisht kësaj forme të shkëlqyer dhe epërsisë së madhe në renditje, Antonelli ndihet ende në siklet kur flitet për titullin kampion bote: “As nuk e di se sa gara kanë mbetur, kështu që ka ende shumë rrugë për të bërë,” deklaroi piloti i Mercedes.
“Mendoj se është ende herët dhe nuk dua të filloj të mendoj për kampionatin. Monza dëshmoi se nuk po shqetësohesha për renditjen, thjesht po përpiqesha të fitoja dhe të jepja maksimumin. Kjo është qasja ime”, shtoi 20-vjecari.
“Mund të ketë situata në të ardhmen ku do ta marr parasysh kampionatin para se të marr një vendim. Por ajo që dua të shmang me çdo kusht është të dal në pistë duke menduar ose shqetësuar për kampionatin”, tha Antonelli.
Lidhur me rivalitetin e brendshëm te Mercedes me George Russell, ai shprehu bindjen se skuadra nuk do të tregojë favorizim: “Nuk besoj se ekziston një ‘pilot numër një’ i mirëfilltë te Mercedes, sepse ata duan të na japin të dyve të njëjtat mundësi”.
“George është një pilot i jashtëzakonshëm dhe ka qenë në formë të shkëlqyer në dy garat e fundit, ndaj sigurisht që nuk më duket se ka një pilot ‘numër një’. Skuadra na trajton në mënyrë të barabartë dhe na jep të njëjtat shanse”, tha Antonelli.
“Nuk ndihem si lideri i padiskutueshëm; përkundrazi, ndihem sikur jemi të dy në pozita të barabarta. Kështu duhet të jetë dhe kjo është qasja e duhur”, tha italiani.