Komandanti i KFOR-it: Situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, në përfundim të mandatit të tij të dytë në krye të misionit të NATO-s në Kosovë, ka vlerësuar se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Në një intervistë për Telegrafin, Ulutash ka thënë se pas rritjes së tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, situata e sigurisë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme.

Sipas tij, ky përmirësim ka mundësuar që NATO-ja të ndërpresë dislokimin e forcave rezervë në KFOR në janar të këtij viti dhe të nisë procesin e optimizimit gradual të pranisë së misionit.

“Situata e përgjithshme e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm. Ky përmirësim i ka mundësuar NATO-s të fillojë gradualisht përshtatjen e pranisë së KFOR-it”, ka deklaruar Ulutash.

Megjithatë, ai ka theksuar se procesi i optimizimit bazohet në kushte dhe mund të kthehet mbrapsht nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë.

KFOR-i në Urën e Ibrit

Duke folur për praninë e KFOR-it në Urën e Ibrit, Ulutash ka thënë se kalimi gradual nga prania e përhershme në urë është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë.

Ai ka bërë të ditur se ky tranzicion po realizohet në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe hisedarët e tjerë përkatës.

“KFOR-i do të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në të gjithë pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë ai.

Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, Ulutash ka theksuar se KFOR-i nuk ka mandat për të vendosur nëse ura duhet të hapet apo jo.

“Kjo çështje i takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, ka deklaruar komandanti i KFOR-it.

Policia e Kosovës mbetet përgjegjësi i parë për zbatimin e ligjit

Ulutash ka folur edhe për rolin e Policisë së Kosovës, duke theksuar se zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të KFOR-it.

Sipas tij, Policia e Kosovës vepron si përgjegjësi i parë i sigurisë për zbatimin civil të ligjit dhe sigurinë publike, ndërsa KFOR-i ruan mandatin e tij të veçantë të sigurisë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai ka theksuar se KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke ruajtur kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin për t’iu përgjigjur skenarëve të ndryshëm të sigurisë.

“Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës është profesional dhe konstruktiv”

Komandanti i KFOR-it e ka cilësuar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë si profesional, konstruktiv dhe të rregullt.

“KFOR-i ruan bashkëpunim profesional, konstruktiv dhe të rregullt me të gjithë hisedarët përkatës, përfshirë përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it”, ka thënë Ulutash.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për parandalimin e keqkuptimeve, uljen e tensioneve dhe ruajtjen e besimit.

Ulutash: Rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike

Duke krahasuar situatën aktuale me atë të fillimit të mandatit të tij të dytë, Ulutash ka thënë se siguria është përmirësuar në të gjithë Kosovën.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se sfidat nuk janë zhdukur dhe për këtë arsye KFOR-i do të vazhdojë me një prani të dukshme në terren, përmes patrullimeve, pikave të vëzhgimit dhe angazhimit me komunitetet lokale.

“Ndërsa KFOR-i vazhdon të ofrojë kontribute të rëndësishme ushtarake, rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike. Jo ushtarake”, ka deklaruar ai.

Ulutash ka shtuar se NATO vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Besimi i qytetarëve, thelbësor për misionin

Ulutash ka vlerësuar se besimi i qytetarëve është thelbësor për suksesin e misionit të KFOR-it.

Ai ka thënë se misioni vepron në mënyrë të paanshme ndaj të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, ndërsa gjatë mandatit të tij është vendosur theks i veçantë në komunikimin transparent dhe angazhimin me të gjitha komunitetet.

Sipas tij, ekipet e Ndërlidhjes dhe Monitorimit të KFOR-it mbajnë kontakte të përditshme në të gjithë Kosovën, me qëllim të kuptimit më të mirë të shqetësimeve lokale dhe reagimit të përshtatshëm ndaj tyre.

Në fund të mandatit të tij, Ulutash ka thënë se do të kujtojë veçanërisht profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të KFOR-it, të ardhur nga më shumë se 30 vende.

Ai ka theksuar gjithashtu se qëndrueshmëria e njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe takimet me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme e kanë forcuar bindjen e tij se siguria e qëndrueshme varet nga dialogu, respekti i ndërsjellë dhe udhëheqja e përgjegjshme.

Read Previous

Usain Bolt: Jam një legjendë si Ali dhe Pelé, me pistat dhe këpucët që përdoren sot do të kisha vrapuar edhe më shpejt

Read Next

25 vjet pas 11 shtatorit, ngjarjet që riformësuan botën