Usain Bolt: Jam një legjendë si Ali dhe Pelé, me pistat dhe këpucët që përdoren sot do të kisha vrapuar edhe më shpejt

Tashmë 40 vjeç, ish-atleti xhamajkan Usain Bolt ka folur për mediat në lidhje me sportin e tij të preferuar. Njeriu më i shpejtë në botë, mbajtësi i rekordit të 100 dhe 200 metrave, shprehet se nëse do të garonte në kohët e sotme mund t’i përmirësonte edhe më tej kohët e tij. Ai është fituesi i tetë medaljeve të arta olimpike.

Usain, si ndihesh kur të quajnë “Legjendë Supreme” (Ultimate Legend)?

“Do të thotë të jesh në të njëjtin nivel me kampionë si Muhammad Ali dhe Pelé; është një ndjesi e jashtëzakonshme.”

Atletika po përpiqet të rinovohet: cilat gara të tërheqin më shumë dhe cilave duhet t’u jepet më shumë rëndësi?

“Përveç garave ‘të mia’, unë gjithmonë ndjek me pasion garën e 800 metrave, e cila kohët e fundit është shndërruar pothuajse në një sprint, si dhe garën 110m me pengesa. Mendoj se hedhja e shtizës meriton më shumë vlerësim; atletët që garojnë në të janë fenomenë.

Cilin atlet nga një epokë tjetër, të ndryshme nga e jotja, do të kishe dashur të sfidoje?

“Maurice Greene-in, sepse ishte një ‘shoëman’, dhe Michael Johnson, sepse ishte dominues.”

Dhe cilët janë yjet aktualë që të tërheqin më shumë vëmendjen?

“Ka shumë dhe, për të mos anashkaluar askënd, do të përmend disa kolegë vrapues xhamajkanë: Oblique Seville – kampionin e botës në 100 metra – dhe binjaket Tia e Tina Clayton.”

Në pistat e sotme dhe me këpucë të gjeneratës së fundit, çfarë kohësh do të kishe arritur?

“Shelly-Ann Fraser përmirësoi kohën e saj në 100 metra me një të dhjetën e sekondës duke përfituar nga të dyja këto gjëra. Në të njëjtën distancë, mendoj se do të kisha vrapuar pak mbi 9,40 sekonda dhe ndoshta nën 19 sekonda në 200 metra”.

Çfarë të pëlqeu te ky sezon?

“Fakti që kaq shumë atletë të rinj kanë arritur në nivelet më të larta, duke krijuar rivalitete të reja; kjo është pikërisht ajo që i duhet më së shumti atletikës.”

Si ia dilje të dukeshe kaq i qetë dhe zotërues i skenës?

“Sepse trajneri Mills dinte si të më çonte në eventet madhore në formën më të mirë fizike, ndaj nuk kisha shumë për t’u shqetësuar.”

Kur e kuptove se do të bëheshe më i madhi?

“Rreth moshës 19-vjeçare, kur vetë trajneri Mills më tha se nuk kishte stërvitur kurrë dikë aq të talentuar sa unë.”

Çfarë të mungon dhe çfarë nuk të mungon nga jeta si atlet?

“Më mungon entuziazmi i tifozëve, zhurma e fuqishme e turmës gjatë garave. Por jam i lumtur që nuk më duhet të përballem më me natyrën rraskapitëse të disa seancave stërvitore.”

A do të thyhen rekordet e tua?

“Jo së shpejti; nuk shoh askënd të aftë për ta bërë këtë. Por, gjithsesi, unë kam dy djem…”

Read Previous

Zidane bën zgjedhjet e para te Franca, disa emra befasojnë

Read Next

Komandanti i KFOR-it: Situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm