Alarmi për rreziqet e Inteligjencës Artificiale, kërkohet mbikëqyrje globale
Partia e Gjelbër në Mbretërinë e Bashkuar ka paraqitur një plan me pesë pika për të kufizuar ndikimin e kompanive të mëdha teknologjike dhe për të forcuar kontrollin mbi zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Propozimet vijnë në një kohë kur janë shtuar paralajmërimet për rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i pakontrolluar i kësaj teknologjie, përfshirë edhe skenarët që lidhen me një kërcënim potencial për njerëzimin.
Sipas raportimeve të Sky News, një nga kërkesat kryesore të të Gjelbërve është bashkëpunimi ndërkombëtar për krijimin e një institucioni global që do të monitoronte dhe rregullonte zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Partia kërkon gjithashtu një ndalim ligjor të armëve autonome vdekjeprurëse, të cilat mund të identifikojnë dhe sulmojnë objektiva pa pasur nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë njerëzore.
Edhe pse Mbretëria e Bashkuar nuk disponon aktualisht armë të tilla, planet e saj për investimet në mbrojtje parashikojnë miliarda paund për zhvillimin e dronëve dhe sistemeve autonome.
Në planin e propozuar përfshihet edhe përdorimi i fondeve publike për zhvillimin e teknologjive të AI që do të shërbejnë në interes të shoqërisë. Të Gjelbërit kërkojnë njëkohësisht mbrojtje më të madhe për punëtorët, duke insistuar që vendimet me rëndësi të mbeten nën kontrollin e njeriut.
Një tjetër objektiv është forcimi i kapaciteteve vendase në fushën e inteligjencës artificiale, me qëllim uljen e varësisë së Britanisë nga teknologjia dhe kompanitë amerikane.
Deputetja e Partisë së Gjelbër, Sian Berry, deklaroi se teknologjitë që kanë potencial të madh për të ndryshuar shoqërinë duhet të jenë nën mbikëqyrje të fortë publike.
Ajo theksoi se partia kërkon rregulla të qarta për Inteligjencë Artificiale, masa mbrojtëse ndaj përdorimeve të dëmshme dhe mekanizma të fortë të llogaridhënies demokratike.
Megjithatë, Partia e Gjelbër nuk ka bërë ende të ditur se si do të financohen këto masa, ndërsa priten më shumë detaje në vijim.
Propozimet janë pritur me kritika nga disa deputetë. Dame Chi Onwurah, kryetare laburiste e Komisionit parlamentar për Shkencë dhe Teknologji, pranoi nevojën për rregullim të inteligjencës artificiale, por e kritikoi planin e të Gjelbërve, duke e cilësuar si një kombinim termash të modës dhe deklaratash të paqarta.
Debati është përshkallëzuar edhe nga paralajmërimet e ekspertëve të sigurisë së AI-së. Evan Hubinger, studiues i lartë në Anthropic, ka vlerësuar se ekziston një mundësi mbi 10 për qind që inteligjenca artificiale të përbëjë një rrezik për zhdukjen e njerëzimit brenda dhjetë viteve të ardhshme.
Ndërkohë, kryeministri Andy Burnham ka pranuar se Inteligjenca Artificiale paraqet edhe rreziqe të lidhura me sigurinë kombëtare.
Ai tha se emërimi i Kanishka Narayan si ministër për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale ka ndihmuar në rritjen e nivelit të diskutimit për këtë teknologji brenda qeverisë. /tvklan.al