“Hiqjani Chelseat titullin, i takon Tottenhamit”, ​Pochettino trondit Premier Ligën

Photo by Alain JOCARD / AFP) (Photo by ALAIN JOCARD/AFP via Getty Images

Mauricio Pochettino ka bërë një deklaratë të fortë për titullin e Premier Ligës të fituar nga Chelsea në sezonin 2016/17, duke kërkuar që trofeu t’i hiqet klubit londinez dhe t’i jepet Tottenhamit, që atë sezon përfundoi në vendin e dytë.

Chelsea u gjobit me 10 milionë funte në korrik dhe u përball me ndëshkime për shkelje të rregulloreve financiare dhe të federatës angleze, ndërsa klubi pranoi 74 shkelje që lidhen me agjentët, ndërmjetësit dhe investimet e palëve të treta në futbollistë.

Sipas Pochettinos, shkeljet kishin ndikuar edhe në ndërtimin e skuadrës së Antonio Contes, ku ishin pjesë lojtarë si Eden Hazard, Willian, David Luiz dhe Nemanja Matic.

“Ne duhet të fitojmë një Premier Ligë, duhet të na ishte dhënë. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë ne me siguri meritonim të ishim kampionë atë vit. Ata u ndëshkuan, e pranuan? Pra, kaq. Titulli duhet t’i jetë ekipit që zuri vendin e dytë”, deklaroi Pochettino.

Ish-trajneri i Tottenhamit theksoi se nuk dëshiron të minimizojë suksesin e Chelseat apo punën e Contes, por insistoi se rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë.

“Nëse i ke thyer rregullat, atëherë çao, duhet t’ia japësh një ekipi tjetër. Nuk e di pse nuk ndodhi kjo. Ajo që po promovohet dhe stimulohet është thyerja e rregullave”, shtoi ai.

Tottenhami e mbylli atë sezon me 93 pikë, shtatë më pak se Chelsea, i cili u shpall kampion me 30 fitore në 38 ndeshje. Pochettino aktualisht drejton kombëtaren e SHBA-së dhe ka kontratë deri në Kupën e Botës 2030. /KosovaPress/

Read Previous

122 eurodeputetë kërkojnë përdorimin e aseteve ruse të ngrira për Ukrainën

Read Next

Alarmi i shkencëtarëve: Vdekjet nga i nxehti rriten me 161% në Evropën Jugore