Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë është renditur e para në nivel të drejtorive rajonale policore, sipas rezultateve të raportit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Sipas raportit, DRP Gjakovë ka realizuar 75.3 për qind të pikëve të mundshme, me notë mesatare 3.76 nga 5.
Në nivel të stacioneve policore, vendin e parë në Kosovë e ka zënë Stacioni Policor i Malishevës, me 79 për qind të pikëve të mundshme dhe notë mesatare 3.95 nga 5.
Stacioni Policor i Malishevës është pjesë e zonës së përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
Pas publikimit të rezultateve, drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka shprehur kënaqësinë për vlerësimin.
“Edhe kësaj here kampion!”, ka shkruar Graishta, duke theksuar se rezultati është meritë e përbashkët e bashkëpunëtorëve dhe stafit.
Ai ka falënderuar të gjithë zyrtarët dhe zyrtaret policore të DRP-së në Gjakovë për punën dhe kontributin e tyre.
Në anën tjetër, në fund të renditjes së stacioneve policore është Stacioni Policor Mitrovicë Veri, me 58.9 për qind të pikëve dhe notë mesatare 2.94.
Edhe në nivel të drejtorive rajonale, rajoni i Mitrovicës së Veriut është renditur i fundit, me 65.8 për qind të pikëve dhe notë mesatare 3.29. /tvsyrivision/