Euroleague gati për sezonin e ri, të gjithë në ndjekje të Olympiacos
Lionel Messi është pranë blerjes së një tjetër klubi në Spanjë, pasi ka arritur një marrëveshje paraprake për të marrë drejtimin e Eldenses, klubit që aktualisht garon në divizionin e dytë spanjoll.
Sipas ESPN, marrëveshja ende duhet t’i nënshtrohet përfundimit të procedurave të verifikimit dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Sportit të Spanjës (CSD).
Eldense është aktualisht në pronësi të grupit kolumbian të investimeve Grupo TH, i cili ka në pronësi edhe klube në Kolumbi dhe Zvicër. Nëse marrëveshja finalizohet, Eldense do të bëhet klubi i dytë në Spanjë në pronësi të Messit.
39-vjeçari më herët gjatë këtij viti bleu klubin Cornellà, që militon në divizionin e pestë spanjoll. Megjithatë, Eldense do të ishte investimi i parë i Messit në një klub profesionist në Spanjë, pasi Cornellà konsiderohet klub gjysmë-profesionist.
Messi është gjithashtu i përfshirë, së bashku me bashkëlojtarin e tij te Inter Miami, Luis Suárez, në klubin uruguaian Deportivo LSM.
Pronësia e dy klubeve nuk pritet të krijojë probleme në të ardhmen e afërt, pasi Eldense dhe Cornellà aktualisht janë të ndara nga tri nivele të futbollit spanjoll. Megjithatë, rregullat e RFEF mund të bëhen problem nëse të dy klubet do të arrijnë në të njëjtën kategori dhe Messi do të mbetet aksionari kryesor i të dyjave.
Eldense, e themeluar në vitin 1921, është rikthyer në divizionin e dytë pas një periudhe të gjatë jashtë dy niveleve elitare të futbollit spanjoll. Klubi u ngjit në Segunda División në vitin 2023, ra nga kategoria në vitin 2025 dhe u rikthye përsëri verën e kaluar.
Fillimi i këtij sezoni nuk ka qenë pozitiv për Eldensen, pasi skuadra nuk ka arritur të fitojë asnjërën nga katër ndeshjet e para. Për këtë arsye, trajneri Claudio Barragán u shkarkua në fillim të kësaj jave, ndërsa klubi aktualisht është pa trajner.
Eldense i zhvillon ndeshjet si vendas në stadiumin Nuevo Pepico Amat, i cili ka kapacitet prej 5,776 spektatorësh. /KosovaPress/