Merkel: Fitorja e AfD-së tronditje për Gjermaninë

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel e ka cilësuar “thjesht tronditëse” rezultatin e zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, duke paralajmëruar për rrezikun që emocionet të mbizotërojnë ndaj fakteve, shkruan DW.

Ndërkohë, rezultatet e fundit të testimit ndërkombëtar PISA kanë shkaktuar shqetësim të madh në Gjermani.

Trump përshëndet “natën e madhe” të AfD-s

Fitorja e AfD-së në zgjedhjet e Saksoni-Anhaltit me një diferencë të gjerë ka shkaktuar reagime edhe në qarqet ekonomike.

Ndërsa politikanët dhe analistët elektoralë vazhdojnë të diskutojnë arsyet e popullaritetit në rritje të kësaj partie të së djathtës ekstreme, ekonomistët kanë ngritur alarmin për pasojat e mundshme.

Rreth 9 mijë persona protestojnë kundër AfD-së në Këln

Rreth 9 mijë persona morën pjesë të martën në një protestë kundër së djathtës ekstreme në qendër të Këlnit, sipas vlerësimit të policisë.

Protesta u zhvillua me moton: “Ndal ekstremizmin e djathtë në Saksoni-Anhalt dhe kudo – forconi demokracinë!”

Ajo u organizua nga një aleancë e grupeve të ndryshme pas zgjedhjeve të së dielës në landin lindor gjerman.

Organizatorët deklaruan se synonin t’u jepnin qytetarëve një hapësirë për të reaguar, protestuar dhe analizuar rezultatin e zgjedhjeve.

Protestuesit u mblodhën pranë sheshit Heumarkt, në qendër të Këlnit, pranë urës Deutzer Brücke mbi lumin Rajn.

Në disa pankarta shfaqeshin slogane kundër AfD-së. Një prej tyre luante me dialektin e Këlnit, duke përdorur fjalën “Hätz”, që do të thotë “zemër”, në vend të fjalës gjermane “Hetze”, e cila përdoret për nxitje ose agjitacion politik dhe shpesh racial.

Merkel: Si anëtare e CDU-së, zemra më rrjedh gjak

Angela Merkel, ish-kancelarja gjermane dhe një prej figurave më të njohura të CDU-së të ardhura nga ish-Gjermania Lindore, reagoi ashpër ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt.

E pyetur për rezultatin e së dielës, Merkel e cilësoi atë “thjesht tronditës”.

AfD-ja e djathtë populiste pritej prej kohësh të kishte një rezultat të fortë në këtë land, por partia doli edhe më mirë nga sa parashikohej, ndërsa CDU-ja e Merkelit pësoi një rënie më të madhe nga sa pritej.

“Si anëtare e CDU-së, zemra më rrjedh gjak”, tha Merkel, duke iu referuar rezultatit në një prej landeve të ish-Gjermanisë Lindore ku ajo vetë u rrit.

Ajo e përshkroi rezultatin si “një kthesë, një kthesë të vërtetë në historinë moderne gjermane”.

Merkel, e cila drejtoi qeverinë gjermane nga viti 2005 deri në vitin 2021, u bëri thirrje politikanëve të rishikojnë mënyrën se si komunikojnë me qytetarët.

Sipas saj, është bërë gjithnjë e më e rëndësishme që politikanët t’u drejtohen qytetarëve individualisht dhe përmes mënyrave të ndryshme të komunikimit.

Ajo shprehu gjithashtu shqetësimin se votuesit po i japin gjithnjë e më pak rëndësi fakteve dhe më shumë rëndësi ndjenjave.

Si shembull, Merkel përmendi faktin se, sipas saj, të dhënat tregojnë se papunësia në Saksoni-Anhalt është ulur dhe mirëqenia e individëve është përmirësuar.

“Dhe pastaj vjen kandidati kryesor [i AfD-së, Ulrich Siegmund] dhe thotë: ‘Po, ndoshta, por nuk ndihet kështu’”, tha ajo.

Merkel paralajmëroi se një qasje e tillë nuk duhet të përhapet në të gjithë shoqërinë.
“Përparimi kryesor i Iluminizmit ishte se shumica e njerëzve mund të binin dakord mbi faktet”, deklaroi ajo.

Sipas Merkel, nëse ndjenjat do të vendoseshin mbi faktet, kjo do të përbënte “një regres civilizues”. /ATSH/

Read Previous

​Superliga vazhdon me dy ndeshje, vëmendja te derbi Gjilani-Ballkani

Read Next

Ministria e Sportit dhe Rinisë ndan mbi 625 mijë euro për 150 sportistë dhe trajnerë