​Superliga vazhdon me dy ndeshje, vëmendja te derbi Gjilani-Ballkani

Java e pestë e Superligës së Kosovës në futboll vazhdon sot me dy përballje interesante, ku skuadrat do të kërkojnë pikë të rëndësishme për objektivat e tyre në këtë fillim të sezonit.

Në Drenas, Feronikeli do të jetë nikoqir i Dritës në një ndeshje që fillon nga ora 16:00. Skuadra vendase ende nuk ka arritur të marrë pikët e para këtë edicion, pasi ka pësuar katër humbje në po aq ndeshje të zhvilluara dhe do të synojë reagimin para tifozëve të saj.

Në anën tjetër, Drita udhëton drejt Drenasit me moral të lartë, pasi në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani ka regjistruar dy fitore dhe një barazim. Gjilanasit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, pasi përballja ndaj Prishtinës është shtyrë, ndërsa sot synojnë të vazhdojnë serinë pozitive dhe të arkëtojnë tri pikë të reja.

Vëmendja kryesore e ditës do të jetë në Gjilan, ku nga ora 19:00 zhvillohet përballja mes Gjilanit dhe Ballkanit. Ndeshja pritet të sjellë rivalitet dhe emocione, me dy skuadra që synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive.

Gjilani e ka nisur sezonin me dy fitore, një barazim dhe një humbje në katër ndeshjet e para, ndërsa Ballkani, pas humbjes në ndeshjen hapëse ndaj Prishtinës, ka reaguar me tri fitore radhazi.

Therandasit synojnë ta zgjasin serinë e fitoreve edhe në udhëtimin drejt Gjilanit, ndërsa vendasit do të kërkojnë triumfin përpara tifozëve të tyre. Përballja do të luhet nën ndriçimin e reflektorëve dhe pritet të jetë një nga ndeshjet më interesante të javës së pestë. /KosovaPress/

Read Previous

Liga e Kampionëve vazhdon sonte me ndeshje spektakolare

Read Next

Merkel: Fitorja e AfD-së tronditje për Gjermaninë