Superliga vazhdon me dy ndeshje, vëmendja te derbi Gjilani-Ballkani
Jose Mourinho ka komentuar fitoren 2:1 të Real Madridit ndaj Interit në ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve, duke e cilësuar përballjen në “Santiago Bernabeu” si një ndeshje të çmendur me raste të shumta shënimi për të dyja skuadrat.
Trajneri portugez u shpreh i kënaqur me tri pikët, por pranoi se ndeshja mund të kishte marrë një drejtim krejtësisht tjetër, duke pasur parasysh numrin e rasteve të krijuara nga të dyja ekipet.
“Më pëlqeu rezultati, tri pikë në ndeshjen e parë kundër një skuadre shumë të fortë, por ndeshja ishte spektakolare për këdo në shtëpi, por jo për mua ose Cristian Chivun. Kjo ndeshje ishte e çmendur. Mund të kishte qenë 5-0 për ne, 5-5, 7-6 apo 5-6”, deklaroi Mourinho.
Ai vlerësoi gjithashtu Interin, duke theksuar se skuadra e drejtuar nga ish-mbrojtësi i tij, Cristian Chivu, krijoi disa raste të mira dhe e mbajti ndeshjen të hapur deri në fund.
“Interi është i fortë. Patëm një shans tjetër me Bellingham, ndërsa Interi mund të kishte shënuar edhe disa gola. Ishte e hapur deri në fund, thjesht një ndeshje e çmendur”, shtoi portugezi.
Mourinho foli edhe për Kylian Mbappe, i cili është kritikuar për individualizëm në lojë, por trajneri i Real Madridit e mbrojti sulmuesin francez.
“Mbappe punoi shumë, shënoi një gol të rëndësishëm dhe pati dy ose tri raste që zakonisht i shndërron në gol. Nuk jam i shqetësuar, sepse ai gjithmonë do të shënojë gola. Ai me siguri do të jetë përsëri golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve këtë sezon”, theksoi Mourinho.
Ndeshja ndaj Interit ishte gjithashtu e veçantë për Mourinhon për shkak të përballjes me Cristian Chivun, i cili ishte një nga lojtarët e tij te Interi që fitoi tripletën historike në vitin 2010.
“Patëm një përqafim para dhe një përqafim pas ndeshjes. Ai e di çfarë ndiej për të dhe unë e di çfarë ndien ai për mua. Gjatë 90 minutave harron gjithçka, por nëse kemi mundësi të takohemi tani, do të flasim”, u shpreh Mourinho.
Portugezi do të përballet në ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve me Romën në “Olimpico”, klubin ku ka punuar më parë dhe ku do të rikthehet për herë të parë pas largimit.
Ndërkohë, Mourinho dha edhe përgjigjen e tij karakteristike kur u pyet për vendimin e presidentit Florentino Perez për ta rikthyer në krye të Real Madridit.
“Sepse situata ishte e vështirë. Nëse është e lehtë, nuk është për mua. Nëse është e vështirë, telefononi Josen”, përfundoi Mourinho. /KosovaPress/