Chivu i lumtur përkundër humbjes së Interit nga Real Madridi
Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë sot procesin e konstituimit, pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale. Seanca e vazhdimit është caktuar të mbahet të mërkurën, në orën 11:00.
Pjesëmarrjen në seancë e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërsa Aleanca ka vendosur të bojkotojë seancën.
Në qendër të vëmendjes mbetet sigurimi i votave për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Pjesëmarrja e LVV-së konsiderohet vendimtare për vazhdimin e procesit. Si subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja ka numrin më të madh të deputetëve dhe mbetet aktori kryesor në procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se partia e tij nuk kishte arritur marrëveshje me subjektet e tjera politike për përbërjen e udhëheqjes së Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar pas mbledhjes së partisë se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e së mërkurës.
Hamza ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm dhe se Kosova duhet t’i ketë institucionet funksionale sa më shpejt.
“Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur se në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar”, ka deklaruar Hamza.
PDK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se do të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit, duke insistuar se kandidatura e saj është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar.
Edhe LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, deputetja Jehona Lushtaku ka deklaruar se deputetët e LDK-së do të jenë të pranishëm dhe do të kontribuojnë në përfundimin e procesit.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Lushtaku.
Ndryshe nga LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë në seancë.
Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë kanë mbështetur vendimin për bojkot.
Sipas Gjinit, pjesëmarrja në seancë do të nënkuptonte legjitimimin e asaj që ai e cilësoi si “shkelje të vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës” nga partia fituese e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik.
Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Afati përfundimtar ishte 7 gushti.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e kishte thirrur seancën e parë të legjislaturës së re më 6 gusht. Por pamundësia për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët bëri që procesi të mbetej i papërfunduar.
Seanca vazhdoi më 8 gusht nën drejtimin e Avni Deharit, por edhe atëherë nuk pati rezultat. Kurti kërkoi kohë për vazhdimin e negociatave me partitë e tjera, ndërsa seanca u ndërpre pa u caktuar një datë e re.
Pas disa javësh presioni politik dhe kërkesave të vazhdueshme nga partitë opozitare për rifillimin e procedurave, më 4 shtator Avni Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të mbahej më 9 shtator.
Në sfondin e kësaj krize institucionale, më 31 gusht Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan marrëveshjen për një kandidat të përbashkët për president.
Bëhet fjalë për ish-diplomatin dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.
Megjithatë, marrëveshja nuk është mbështetur nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke e lënë të pasigurt edhe procesin e zgjedhjes së presidentit. /RTKlive