Kosova planifikon të ngrejë aktakuzë pas verifikimit të eshtrave të gjetura në Zubin Potok

Republika e Kosovës planifikon të ngrejë aktakuzë lidhur me rastin e 23 viktimave, trupat e të cilëve u gjetën gjatë korrikut në dy lokacione në Komunën e Zubin Potokut, raporton Anadolu.

Kështu u bë e ditur në një diskutim publik të titulluar “Lokacione të reja, pyetje të vjetra: Ku qëndron kërkimi për të pagjeturit e luftës?”, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, në Prishtinë.

Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), i cili ka qenë në terren duke parë nga afër procesin e gjetjes së mbetjeve njerëzore, tha se pasi policia ka njoftuar IML-në, ka filluar më pas operacioni i gjerë i cili ka zgjatur rreth katër javë.

“Këto janë mbetje kockore të cilat kanë qenë të groposura/varrosura dhe duhet të ruhen sa më mirë, të dokumentohet gjithçka gjatë procesit të zhvarrimit, në mënyrë që nesër ky process të mund të mbrohet para gjykatës kur rasti të jetë në gjykatë. Puna është kryer me kujdes, për aq kohë sa na është dashur ta kryejmë procesin e zhvarrimit, pastaj mbetjet mortore i kemi dërguar në IML ku tanimë ka filluar procesi i ekzaminimit”, theksoi Haliti.

Ai tha se tashmë mostrat e kockave kanë filluar të dërgohen në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, i cili tash do ta kryej analizën gjenetike dhe do t’i njoftojë autoritetet kosovare për analizat.

Pas rezultateve, autoritetet kosovare do t’i identifikojnë mbetjet mortore dhe më pas do të njoftohen familjarët e viktimave. Haliti tha se do të mundohen të gjejnë dhe shkakun e vdekjes së viktimave, në mënyrë që më të përgatitet një raport për Prokurorinë e Shtetit, pasi që rasti do ta ketë edhe rrjedhën e vet penale.

Udhëheqësi i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës, Baki Svirca tha se në gjykatat kosovare po zhvillohet proces juridik për këto raste, mirëpo paradoksi është se Serbia po zhvillon proces intimidimi të atyre që kanë informacione për këto raste.

“Në proceset e ballafaqimit me të kaluarën, apo drejtësisë tranzicionale, kjo e vështirëson jashtëzakonisht punën tonë, sepse është mesazh i rëndë intimidues, kërcënues, shantazhues, për të gjithë ata që mund të kenë informacione ose të dhëna për vendndodhjen e personave të zhdukur me forcë”, theksoi Svirca.

Në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut u gjetën muajin e kaluar mbetje kockore të 23 viktimave, që përkojnë me Grupin e Intelektualëve të Mitrovicës.

Nëse në mostrat kockore të individit nuk ka problem në nxjerrjen e profilit të tij, procedura deri te përfundimi i verifikimit mund të zgjas rreth tre muaj, mirëpo nëse ka probleme në nxjerrjen e profilit të ADN-së, mund të duhet më shumë kohë. /Anadolu Agency/

Read Previous

Adidas kërkon falje pasi fushata me ish-ushtarin izraelit shkaktoi thirrje për bojkot

Read Next

LDK-ja thotë se do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive