Si u bë Gjermania nga një vend emigrimi në një vend imigrimi

Migracioni është një temë e ndjeshme: frika nga migrimi i pakontrolluar dominon debatin publik. Shumë njerëz harrojnë se dikur edhe miliona gjermanë emigruan në kërkim të një jete më të mirë.

“Ata po vijnë me turma dhe nuk do ta pranojnë kurrë gjuhën apo zakonet tona… Së shpejti do të na tejkalojnë në numër… dhe madje edhe qeveria jonë do të tronditet.”

Mund të mendohet se këto fjalë përçmuese për refugjatët dhe azilkërkuesit vijnë nga radhët e partisë populiste të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë). Por ata që këtu akuzohen rëndë si njerëz që refuzojnë integrimin janë gjermanët. Këtë gjykim të ashpër në shekullin e 18-të e dha Benjamin Franklin, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara. Ai ishte gjithashtu një nga autorët e Deklaratës së Pavarësisë, ku thuhet se: “… të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Krijuesi i tyre u ka dhënë disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.”

Drejt Botës së Re

Pikërisht ky kërkim për lumturi dhe një jetë më të mirë ka shtyrë përgjatë shekujve njerëz të panumërt t’i kthejnë shpinën vendlindjes së tyre. Arratisja nga lufta, shtypja politike dhe diskriminimi për shkak të fesë, prejardhjes apo orientimit seksual i ka detyruar njerëzit të largohen, ashtu si edhe katastrofat natyrore, varfëria dhe mungesa e perspektivës.

“Prandaj migracioni nuk është aspak një fenomen modern, por një gjendje normale e ekzistencës njerëzore”, pohon historiani dhe studiuesi i migracionit Jochen Oltmer. Që nga koha kur njeriu modern anatomikisht u largua nga Afrika rreth 100.000 deri në 120.000 vjet më parë dhe u përhap në të gjithë botën, migracioni ka qenë pjesë e historisë së njerëzimit.

Numri i gjermanëve që emigruan në Amerikë gjatë kohës së Franklin-it ishte ende i kufizuar. Deri në vitin 1820 bëhej fjalë për vetëm 150.000 persona. Shpesh ata tërhiqeshin nga bashkatdhetarë që tregonin histori të supozuara suksesi dhe vlerësonin pasurinë e fituar shpejt. Ajo që shumica nuk e dinte ishte se këta rekrutues merrnin shpërblim për çdo emigrant që bindnin.

Sot do të flisnim për kontrabandistë njerëzish, të cilët u premtojnë emigrantëve të mundshëm mrekulli. Edhe udhëtimet e rrezikshme me varka të mbingarkuara kujtojnë kohët e hershme.

“Kalimi me një anije me vela kushtonte afërsisht sa paga vjetore e një zanatçiu”, shpjegon Simone Blaschka nga Muzeu Gjerman i Emigracionit në Bremerhaven. “Për ta përballuar këtë, familjet duhej të shisnin të gjithë pasurinë e tyre.”

Një udhëtim drejt së panjohurës

Shumica nuk e imagjinonte se çfarë i priste gjatë udhëtimit shumëmujor. Nën kuvertë, njerëzit rrinin të grumbulluar në hapësira shumë të ngushta, të torturuar nga pleshtat, insektet dhe minjtë. Ushqimi përbëhej kryesisht nga biskota të forta detare, mish i kripur dhe qull i prishur, të shoqëruar me ujë të ndenjur e shpesh të ndotur.

Shumë persona sëmureshin nga dizenteria, tifoja, lia dhe skorbuti. Në librin e tij “Udhëtim në Pensilvani në vitin 1750”, mësuesi dhe organisti Gottlieb Mittelberger përshkroi përvojat e tij:

“Shumë njerëz qajnë, psherëtijnë dhe bërtasin me mall për atdheun e tyre. Pastaj shumicën e pushton mallëngjimi për shtëpinë dhe në këtë mjerim qindra njerëz vdesin dhe hidhen në det.”

Sapo mbërritën në Amerikë, shumica e bashkëudhëtarëve të tij u shitën praktikisht në ankand. Këta ishin njerëz pa mjete financiare, të cilët kishin udhëtuar falas në këmbim të angazhimit për vite të tëra pune të detyruar për të shlyer borxhin. Në SHBA këto kontrata shiteshin, familjet ndaheshin dhe prindërit shpesh detyroheshin të shisnin fëmijët e tyre.

Një ftesë nga caresha ruse

Në të njëjtën kohë, një valë tjetër e madhe emigrimi mori drejtimin lindor. Emigrantët iu përgjigjën thirrjes së careshës ruse Katerina e Madhe, e cila vetë kishte prejardhje gjermane.

Më 22 korrik 1763 ajo publikoi një manifest, me të cilin ftonte njerëzit të shpërnguleshin në Rusi. Qëllimi ishte zhvillimi i zonave të pabanuara. Ajo premtoi transport falas, tokë pa pagesë, vite pa taksa, përjashtim nga shërbimi ushtarak, arsim dhe një status të veçantë politik. Kjo u mundësonte emigrantëve të ruanin gjuhën gjermane dhe një shkallë të lartë vetëqeverisjeje.

Megjithatë, në shekullin e 19-të Amerika u bë përsëri destinacioni më i dëshiruar.

“Popullsia e Gjermanisë pothuajse u dyfishua gjatë shekullit të 19-të, kështu që mund të imagjinohet presioni në tregun e punës”, thotë Simone Blaschka.

Përveç kësaj pati korrje të dobëta dhe uri. “Njerëzit nuk shihnin të ardhme as për veten dhe as për fëmijët e tyre dhe vendosën të emigronin.”

Rreth gjashtë milionë gjermanë u nisën drejt Botës së Re, të nxitur edhe nga libri i W. E. Eggerling “Përshkrim i shkurtër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Veriore”, botuar në vitin 1832, ku ai shkruante:

“Njeriu i ndershëm, i zgjuar dhe punëtor nuk jeton askund aq mirë, aq lirshëm dhe aq i lumtur sa në Amerikë; edhe më i varfri jeton më mirë se dikush në Evropë që qëndron dy shkallë më lart në shoqëri.”

Migracioni: barrë apo pasuri?

Gjermanët nuk ishin aspak të vetmit që largoheshin nga vendlindja.

“Nga fillimi i shekullit të 19-të deri në Luftën e Parë Botërore kemi të bëjmë me afërsisht 60 milionë evropianë që u larguan nga kontinenti”, thotë Oltmer.

Në mesin e shekullit të 20-të situata ndryshoi. Evropa u shndërrua nga një kontinent emigrimi në një kontinent imigrimi.

“Pyetja nëse migracioni është më shumë barrë apo pasuri lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik dhe tregun e punës. Nëse pritshmëritë për të ardhmen e shoqërisë janë pozitive, edhe qëndrimi ndaj migracionit është më pozitiv. Nëse pritshmëritë janë negative, bëhet më negativ edhe qëndrimi ndaj migrantëve.”

“Trenat e punëtorëve mysafirë”

Në Gjermaninë Perëndimore të viteve 1950 dhe 1960, gjatë periudhës së bumit ekonomik, e ardhmja dukej plot shpresë.

Duke filluar nga viti 1956, të ashtuquajturit “trenat e punëtorëve mysafirë” ndaleshin në stacionet e Shtutgartit, Dortmundit apo Këlnit. Në to udhëtonin italianë, grekë, spanjollë, portugezë, jugosllavë dhe turq, të joshur nga premtimet për vende pune të paguara mirë.

Deri në ndalimin e rekrutimit në vitin 1973, rreth 14 milionë njerëz erdhën në Gjermaninë Perëndimore si “punëtorë mysafirë” (Gastarbeiter). Rreth tre milionë prej tyre qëndruan përgjithmonë.

Premisa e gabuar: “Ne nuk jemi vend imigrimi”

Megjithatë, Gjermania nuk e konsideronte veten një vend imigrimi.

“Për një kohë shumë të gjatë mbizotëroi ideja se pavarësisht pse njerëzit kishin ardhur në Republikën Federale, ata nuk i përkisnin shoqërisë gjermane, sepse gjithsesi do të largoheshin një ditë”, shpjegon Oltmer.

“Dhe meqë do të largoheshin, nuk shihej asnjë nevojë për t’u kujdesur për ta.”

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2025 më shumë se 30 për qind e popullsisë së Gjermanisë kishte prejardhje migracioni.

Fakti që shumë nga brezat e dytë, të tretë apo të katërt ende nuk ndihen plotësisht pjesë e shoqërisë lidhet me mënyrën se si shoqëria pritëse e ka parë procesin e integrimit.

“Pranimi i vërtetë ka qenë shumë i kufizuar; dhe nëse ka ekzistuar, është dashur të fitohet me shumë përpjekje.”

Kush është i mirëpritur dhe kush jo?

Sot Gjermania përpiqet të tërheqë punonjës të kualifikuar, ndërsa refugjatëve u jep azil vetëm nëse përndiqen politikisht ose ikin nga luftërat.

Si studiues i migracionit, Jochen Oltmer merret shpesh me pyetjen pse disa migrantë pranohen më lehtë se të tjerët.

Kjo pyetje u shtrua edhe në vitin 2015, kur shumë refugjatë mbërritën në Gjermani.

“U tha: ‘Ju njerëz nga Siria, për shkak të luftës civile keni të drejtë për mbrojtje.’ Por në të njëjtën kohë shoqëria u thoshte njerëzve nga Afganistani: ‘Në rastin tuaj jemi disi më skeptikë.’”

Migracioni dhe azili vazhdojnë të jenë tema të nxehta politike në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane.

Oltmer mendon se politika duhet ta drejtojë dhe moderojë këtë debat.

Sipas tij, azili përbën vetëm rreth 10 për qind të migracionit drejt Gjermanisë. Pjesa më e madhe e migracionit nuk ka të bëjë me largimin për shkak të luftës apo përndjekjes.

“Kjo do të thotë se kur krijohen skandale dhe prodhohen imazhe negative, kemi të bëjmë me një shtrembërim masiv të debatit.”

Pasardhësit e emigrantëve gjermanë, të cilët Benjamin Franklin dikur i quajti me përçmim “fshatarë të trashë nga Pfalzi”, tashmë janë integruar plotësisht në shoqërinë amerikane.

Ndërsa integrimi në Republikën Federale të Gjermanisë ka ecur më ngadalë.

“Kemi të bëjmë me një vonesë të jashtëzakonshme”, thotë Oltmer. “Për shumë njerëz nuk ekziston mundësia për të rregulluar statusin e tyre dhe për të marrë një leje qëndrimi të qëndrueshme, megjithëse të gjithë e dinë se ata mund dhe do të qëndrojnë.”

Prandaj, sipas tij, është e domosdoshme që shoqëria gjermane të ulet dhe të diskutojë seriozisht se si duhet të duket Gjermania e së ardhmes.

“Kjo nuk është një bisedë që mund të zhvillohet vetëm në mënyrë të këndshme brenda grupit tënd. Ndonjëherë është një debat i ashpër dhe madje i dhimbshëm. Por nuk ka rrugë tjetër.” /DW/

Read Previous

Alonso për Rogers: Ai ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm

Read Next

“Raketat iraniane drejt flotës amerikane”, Teherani pretendon goditjen e aeroplanmbajtëses