Si e siguroi Barcelona në fshehtësi transferimin e Anthony Gordon?
Kosova rrezikon të humbë një pjesë të konsiderueshme të fondeve të Bashkimit Evropian në kuadër të Planit të Rritjes, nëse vazhdon të mbetet pa institucione të formuara dhe funksionale.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka paralajmëruar se pasojat e krizës institucionale mund të jenë të mëdha për vendin, përfshirë edhe humbjen e miliona eurove nga fondet e BE-së.
Jakaj ka thënë se Kosova gjatë dy viteve të fundit është përballur, sipas tij, me dobësim të funksionimit kushtetues dhe demokratik të institucioneve.
Ai ka theksuar se mungesa e një Kuvendi dhe qeverie funksionale po e vështirëson përmbushjen e kushteve që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës për të përfituar nga Plani i Rritjes.
Sipas tij, Kosova deri në fund të qershorit ka humbur më shumë se 50 milionë euro, ndërsa rrezikon të mos përfitojë edhe nga një pjesë e fondeve të parapara për periudhën deri në fund të vitit.
“Për periudhën qershor deri në fund të muajit të dhjetorit rrezikojmë që të mos i marrim të gjitha ato prej 166 milionë euro nga Plani i Rritjes”, ka thënë ai.
Plani i Rritjes nuk nënkupton që paratë i jepen Kosovës automatikisht. Fondet lëshohen në bazë të përmbushjes së reformave dhe kushteve të përcaktuara nga BE-ja.
Një pjesë e këtyre kushteve kërkon miratimin e ligjeve dhe strategjive të reja, por edhe funksionimin e institucioneve të ndryshme shtetërore.
Pikërisht për këtë arsye, sipas Jakajt, mungesa e institucioneve të plota e vështirëson përmbushjen e këtyre kushteve.
“Një pjesë e masave dhe veprimeve janë projektligje, një pjesë e madhe kanë të bëjnë me miratimin e strategjive të ndryshme, ndërsa një pjesë tjetër ka të bëjë me organet kolegjiale dhe individuale, të cilat duhet të kenë përbërje të plotë dhe të funksionojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”, ka deklaruar ai. /Albanianpost.com