Burim Ramadani: Thirrja e vazhdimit të seancës më 9 shtator provokim i qëllimshëm

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se sonte skadon afati për konstituim të Kuvendit të Kosovës edhe sipas vetë interpretimit që e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje. 

Ramadani ka thënë se sipas aktgjykimit të Kushtetueses duhej të konstituohej Kuvendi deri më 7 gusht. 

Por, Vetëvendosje kishte thënë se në aktgjykim thuhet se Kuvendiu duhet të konstitucionet brenda 30 ditës nga thirrja e seancës konstituive. E kjo datë skadon sonte në orën 23:59. 

Ramadani në postim në Facebook ka shkruar se ky është provokim i qëllimshëm.  

“Jo vetëm që nuk u respektua interpretimi kushtetues për afatin e konstituimit të Kuvendit, por Vetëvendosje nuk po e respekton as interpretimin e saj politik për këtë afat. Prandaj, thirrja e vazhdimit të seancës për 9 shtator nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si provokim i qëllimshëm dhe si një veprim që prodhon jostabilitet institucional. Kuvendi mund të konstituohet vetëm edhe sot. Pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë. Pas ditës së sotme, nuk ka më afat as kushtetues, as politik, as moral”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Ramadani ka folur edhe në sallën e Kuvendit sot lidhur me këtë çështje. 

Gjatë fjalimit në seancë ka thënë se kryeministri në detyrë dhe kreytari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vendosur të krijojë kaos institucional e pastaj ta drejtojë vendin kah zgjedhjet. 

Ai ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari ka “vepruar si vegël e Kurtit”. 

Ramadani ka thënë se Aleanca me PDK-në do të veprojnë në mbrojtje të demokracisë. 

“Në vazhdimësi nga 7 gushti deputetët e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes janë në shkelje të betimit të deputetit për mbrojtje kushtetuetshmërisë e ligjshmërisë në Kosovë. Kosova ka demokraci e duhet ta mbrojë demokracinë. Aleanca bashkë me PDK-në e gjithë qytetarët që e duan Kosovën dhe shtetin e Kosovës, do të veprojë në mbrojtje të demokracisë, kushtetuteshmërisë e ligjshmërisë. Në aspektin edhe personal për individët që e bëjnë Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes, krejt çka mund të themi është se duhet të lutemi për lirinë e tyre. Ata nuk kanë të drejtë as të mendojnë, shprehen e as të veprojnë”, tha Ramadani.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti më i vjetër Avni Dehari, të premten njoftoi se ka caktuar vazhdimin e seancës konstituive për 9 shtator në ora 11:00.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.

LDK-ja dhe Vetëvendosja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Por kundër marrëveshjes dolën deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi. /Koha.net/

Read Previous

Hamza: Nga sot fillon një fazë tjetër, PDK do të veprojë që ligjshmëria të rikthehet

Read Next

Rama: Himara dhe Fieri kaluan një natë të vështirë, situata është nën kontroll