Axios: Administrata Trump po planifikon strategjinë e pasluftës për Lindjen e Mesme

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po harton strategji të pasluftës për Lindjen e Mesme, e cila fokusohet në frenimin e Iranit përmes bashkëpunimit rajonal dhe zgjerimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve fqinje, raportoi të premten Axios.

Sipas raportimit, strategjia është ende në fazat e hershme të hartimit dhe synon të përcaktojë politikën e SHBA-së pas luftës me Iranin dhe gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Trumpit. Planifikimi po zhvillohet në nivele të larta politike dhe ndërinstitucionale.

Presidenti Donald Trump e ka diskutuar gjithashtu strategjinë me këshilltarë të lartë në dy takime të fundit dhe privatisht i ka përshkruar planet e tij si “diçka shumë më të madhe” në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimit, janë shfaqur tri prioritete të mundshme: Krijimi i një aleance rajonale të partnerëve të SHBA-së për të frenuar Iranin, me Washingtonin në rolin e garantuesit; adresimi i çështjeve që rrjedhin nga sulmet e 7 tetorit, përfshirë fazën e ardhshme të planit të Trumpit për armëpushim në Gaza, një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe Sirisë dhe zbatimin e marrëveshjes Izrael-Liban; si dhe zgjerimi i Marrëveshjeve Abrahamike përmes një marrëveshjeje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit.

Raportimi thekson se zgjedhjet në Izrael më 27 tetor dhe zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në nëntor janë konsiderata të rëndësishme. Administrata shpreson që qeveria e ardhshme izraelite ta mbështesë strategjinë, por zyrtarët kanë thënë se Trump synon ta ndjekë atë pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, përfshirë edhe në rast të një ngërçi politik.

Një burim i informuar për procesin ka thënë se hartimi i strategjisë mund të zgjasë edhe disa javë.

“Po e gatuajnë, por ende nuk është gatuar”, ka thënë burimi.

“Ideja është të ndërlidhen shumë çështje në rajon – si të krijohet një rreshtim rajonal pas luftës. Ende nuk është e qartë nëse të gjithë aleatët e SHBA-së në rajon do të jenë në bord”, ka shtuar burimi.  /ATSH-AA/

Read Previous

Albion Rrahmani: Dua të tregoj sa vlej në Serie A

Read Next

Pse kaq shumë shtete duan të anëtarësohen në BE, por jo edhe vendet e pasura të Evropës?