Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së kanë shprehur mbështetjen e tyre për marshin e paralajmëruar për 12 shtator në Prishtinë, i cili organizohet nga iniciativa “Liria ka Emër”.
Krerët e këtyre organizatave u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në këtë aktivitet, i cili pritet të mbahet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se qëllimi i konferencës ishte informimi i opinionit publik për organizimet që po bëhen në prag të vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Jashari e cilësoi procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë dhe politik, duke pretenduar se ai synon dëmtimin e imazhit të luftës së UÇK-së.
“Pothuajse gjashtë vite po mbahen padrejtësisht atje nga Gjykata Speciale”, deklaroi Jashari, duke shtuar se organizatat e dala nga lufta do të vazhdojnë të kundërshtojnë atë që e konsiderojnë si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai tha se Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve nuk është organizatore e marshit, por është duke bashkëpunuar me organizatat e tjera dhe do ta mbështesë aktivitetin e 12 shtatorit.
Jashari bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, institucioneve dhe subjekteve politike.
“Kur preket lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, preket në lirinë e Kosovës. Dhe kur preket në krerët e ushtrisë që mbahen atje padrejtësisht dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, preket në shtetësinë e Kosovës”, tha ai.
Sipas Jasharit, organizatat e dala nga lufta po përgatiten edhe për reagimet pas shpalljes së verdiktit përfundimtar. Ai shprehu shpresën se gjykata do të marrë një vendim të drejtë dhe do të dallojë qëndrimin e saj nga ai i Prokurorisë.
Ai paralajmëroi protesta në rast se vendimi përfundimtar do të jetë i pafavorshëm për ish-krerët e UÇK-së.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq. Ne do të protestojmë”, deklaroi Jashari, duke paralajmëruar se në një situatë të tillë do t’u bëhet thirrje edhe institucioneve në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup që të reagojnë.
Në fund të konferencës, Jashari apeloi që marshi i 12 shtatorit të zhvillohet në mënyrë të qetë, paqësore dhe dinjitoze. Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që të jenë të matur dhe të përgjegjshëm, duke theksuar se nuk duhet të dëmtohen institucionet, objektet apo prona publike dhe private.
Jashari tha se organizatat do të angazhohen që protestat të mos keqpërdoren dhe të mos marrin konotacione të tjera nga qëllimi për të cilin janë organizuar.
Edhe kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, u ka bërë thirrje shqiptarëve nga të gjitha trevat që t’i bashkohen protestës në sheshin “Skënderbeu”.
“Ne do të bëjmë thirrje që më datën 12 shtator, në sheshin ‘Skënderbeu’, të gjithë shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Presheva, Medvegja, të gjitha hapësirat shqiptare dhe të gjithë mërgimtarët tanë të cilët e ndjejnë veten që duhet edhe të vijnë të protestojnë, i ftoj që të vijnë në Prishtinë dhe të protestojnë në mënyrë dinjitoze për pritjen e verdiktit final më datën 16 shtator”, tha Shurdhaj.
Ai u ka bërë thirrje veteranëve, invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve që, siç u shpreh ai, e duan lirinë dhe Kosovën, që të jenë pjesë e protestës. /RTKlive