Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë vazhduar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në ndërtesë në shenjë presioni për zhbllokimin e situatës institucionale.
Përmes këtij aksioni, deputetët dhe aktivistët e këtyre subjekteve politike po kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa konkretë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja me mandat të plotë.
Sipas tyre, Kosova nuk mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë me institucione në detyrë, ndërsa proceset kushtetuese mbeten të bllokuara.
Në anën tjetër, Kurti ka deklaruar se seanca për konstituimin e Kuvendit pritet të mbahet pas arritjes së një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit. Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së u bë e ditur të premten, me mbështetjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.
Megjithatë, marrëveshja është përballur me kundërshtime brenda Grupit Parlamentar të LDK-së. Gjashtë deputetë kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin atë.
Bëhet fjalë për Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Kujtim Shalën, Armend Zemajn, Arben Gashin dhe Janina Ymerin.
Qëndrimi i tyre u bë publik pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku u diskutua marrëveshja e arritur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me Kurtin.
Abdixhiku ka deklaruar se kundërshtimi i gjashtë deputetëve e vështirëson sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe, sipas tij, rrit rrezikun që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. /RTKlive
