Dogana: Mallrat e falsifikuara dhe piraterike rrezikojnë konsumatorët dhe tregun

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mallrat e falsifikuara dhe piraterike përbëjnë rrezik për konsumatorët, dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale.

Sipas Doganës, mallrat e falsifikuara janë ato që përmbajnë në mënyrë të paautorizuar markën tregtare, patentën, dizajnin ose ndonjë të drejtë tjetër të pronësisë industriale të regjistruar në Agjencinë për Pronësi Industriale në Kosovë, në mallra që janë identike me ato për të cilat janë mbrojtur të drejtat specifike.

Ndërsa, mallrat piraterike konsiderohen mallrat e riprodhuara pa autorizim të veprave të mbrojtura me të drejtën e autorit, siç është, për shembull, kopjimi ilegal i CD-ve, DVD-ve dhe programeve kompjuterike.

Dogana e Kosovës ka theksuar se ka rol të rëndësishëm në parandalimin e hyrjes dhe qarkullimit të këtyre mallrave përmes kontrolleve doganore, analizës së riskut dhe bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse dhe bartësit e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Përmes kontrolleve dhe masave të ndërmarra në kufi, sipas Doganës, synohet mbrojtja e konsumatorëve, bizneseve të ligjshme dhe tregut të Republikës së Kosovës nga mallrat e falsifikuara dhe piraterike.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. 

Read Previous

Nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë

Read Next

Mërgimtarët në Slloveni paralajmërojnë protestë paqësore në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë