Presidenca: Kryetari i ri i Kuvendit do të marrë postin e ushtruesit të detyrës së presidentit

Foto: KosovaPress

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e qershorit, ende nuk është konstituuar plotësisht. Seanca konstituive, e cila nisi më 6 gusht, nuk është përmbyllur, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kërkon që para zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit të arrihet pajtim për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në këtë situatë, çështja e ushtrimit të detyrës së presidentit pas skadimit të afatit kushtetues të ushtruesit aktual ka hapur diskutime të reja.

Nga Presidenca e Kosovës për Telegrafin kanë thënë se vendi nuk mund të mbetet pa ushtrues detyre të presidentit, duke sqaruar se me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kjo përgjegjësi do t’i kalojë atij.

“Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kushdo qoftë ai apo ajo, ushtrimi i detyrës së presidentit kalon te kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Ndërkaq, Albulena Haxhiu e ushtron aktualisht detyrën e presidentit, pasi ajo ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit të legjislaturës së dhjetë.

Ajo mori këtë detyrë më 4 prill, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund ta ushtrojë këtë funksion për më shumë se gjashtë muaj.

Për rrjedhojë, në rastin e Haxhiut, ky afat përfundon më 4 tetor.

Në Presidencë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që, nëse deri në këtë datë deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

“Në këtë fazë nuk do të paragjykonim nëse do të paraqitet nevoja për një procedurë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, kishte deklaruar për Telegrafin se Albulena Haxhiu vazhdon të konsiderohet kryetare e Kuvendit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi seanca konstituive ende nuk ka përfunduar.

Sipas tij, fakti që procesi i konstituimit nuk është përmbyllur lë hapësirë për interpretimin se mandati i legjislaturës së kaluar vazhdon të prodhojë efekte deri në përfundimin e këtij procesi.

“Meqë nuk ka marrë fund seanca konstituive, mund të interpretohet se rrjedh mandati i legjislaturës së kaluar, në të cilën ajo ka qenë kryetare e Kuvendit. Kjo do të thotë se momentalisht ajo është edhe kryetare e Kuvendit”, kishte shpjeguar Baraliu.

Megjithatë, sipas tij, situata ndryshon në momentin kur zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit. Me marrjen e mandatit nga kryetari i ri, mandati i kryetarit aktual përfundon automatikisht.

Baraliu ka folur edhe për ushtrimin e detyrës së presidentit në rast të mungesës së kreut të shtetit. Sipas tij, Kushtetuta ia njeh këtë përgjegjësi kryetarit të Kuvendit.

“Legjislatura e re ka filluar dhe duhet të prodhojë një kryetar Kuvendi. Ai kryetar, sapo ta marrë mandatin, nëse nuk kemi president, automatikisht i takon e drejta e ushtruesit të detyrës së presidentit për gjashtë muaj”, kishte deklaruar Baraliu.

Ndërkohë, në fillim të kësaj jave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arritën një marrëveshje për çështjen e presidentit.

Dy partitë propozuan ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiun, si kandidat për president të Kosovës.

Megjithatë, një ditë më vonë, marrëveshja nuk u përkrah nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje nëse ajo mund të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

Pas këtij zhvillimi, kreu i LVV-së dhe njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së presidentit do të vazhdojnë. Ai tha se aktualisht janë siguruar 74 vota për Sejdiun.

Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në votim, nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Kosovës. Në raundin e tretë, kandidati duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht të paktën 61 vota, ndërsa në sallë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.

Nëse presidenti nuk zgjidhet as në raundin e tretë, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh.

Kështu, afati i 4 tetorit dhe konstituimi i Kuvendit të ri mbeten dy nga çështjet kryesore që pritet të përcaktojnë rrjedhën e mëtejshme institucionale dhe politike të vendit. /Telegrafi/

Read Previous

Një sërë problemesh infrastrukturore në rrugën “Likova”