Sot përfundojnë Lojërat Mesdhetare, Kosova merr flamurin për “Prishtina 2030”

Në Taranto të Italisë sot do të përmbyllen Lojërat Mesdhetare, me garat e atletikës që zhvillohen gjatë ditës si disiplina e fundit në këtë ngjarje.

Do të jetë atletja Gresa Bakrraqi ajo që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë sport, në gjysmëmaratonë prej 21 kilometrave.

Në këto lojëra, Kosova deri më sot ka rrëmbyer nëntë medalje.

Dy medalje të arta u fituan në boks nga Donjeta Sadiku dhe karate, përkatësisht Islam Selmani.

Në xhudo, Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa katër xhudistë të tjerë siguruan medalje të bronzta. Në podium u ngjitën Fatjona Kasapi, Flaka Loxha, Shpat Zekaj dhe Akil Gjakova.

Dy medalje të argjendta Kosovës ia siguroi edhe peshëngritësi Kianoush Rostami. Ai fitoi argjendin në stilin e shkëputjes dhe në atë të shtytjes, duke ngritur peshë deri në 203 kilogramë.

Kësisoj, Kosova i ka fituar gjithsej nëntë medalje në këto Lojëra Mesdhetare: dy të arta, një të argjendtë në xhudo, dy të argjendta në peshëngritje dhe katër të bronzta në xhudo.

Ndërkohë, në mbrëmje, nga ora 20:15, do të zhvillohet ceremonia përmbyllëse e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”. Në këtë ceremoni Kosova do ta pranojë flamurin e Lojërave Mesdhetare, pasi edicioni i ardhshëm i tyre, në vitin 2030, do të zhvillohet në Kosovë.

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 do të jenë një ngjarje historike për sportin kosovar, ndërsa flamuri që do të merret sonte në Taranto simbolikisht do të shënojë kalimin e organizimit te Kosova. /KosovaPress/

Read Previous

Gjurmët e dronit me eksploziv çojnë në Serbi dhe Poloni

Read Next

​Holanda zhvendos miliarda euro në ar nga SHBA-ja drejt Londrës, përgatitet për kriza