Tre aksidente me fatalitet dhe mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit
Partia AfD në Saksoni-Anhalt shpall një kurs konfrontues ndaj kishave. Përfaqësuesit e kishave janë midis shqetësimit dhe besimit.
Në flamujt që valëviten përpara katedrales katolike në Magdeburg shkruhet: “Mëshirë, Dialog, Dinjitet Njerëzor, Solidaritet, VOTONI ME NDËRGJEGJE!” . Asnjë parti politike nuk përmendet. Por mesazhi flet vetë.
Edhe vetëm pak më larg, në famullinë protestante shkruhet “DIVERSITETI ËSHTË HYJNOR”. Banderola që shkruajnë “Zemër në vend të nxitjes” varen nga kishat e tjera protestante në rajon.
Paralajmërimet për Alternativën për Gjermaninë (AfD), e cila është e para në sondazhe në landin e Saksonisë-Anhalt, kanë qenë pjesë e jetës së përditshme të kishës për shumë muaj. Kur peshkopi i Magdeburgut, Gerhard Feige, predikoi para 3,000 besimtarëve në pelegrinazhin vjetor dioqezan në manastirin Huysburg në shtator 2025 pë temën “Pelegrinët e Shpresës”, ai përmendi pothuajse rastësisht se “Pelegrinët e Shpresës” nuk votojnë impulsivisht, “verbërisht” (gjermanisht: “ins blaue hinein” – përkthehet fjalë për fjalë “në blu”). Blu – është ngjyra e partisë AfD. Ai u ndërpre nga duartrokitje të zgjatura.
Për muaj të tërë, partia ka qenë padyshim më e forta në sondazhe përpara zgjedhjeve të 6 shtatorit. Bazuar në sondazhe, duket e mundur që ai të formojë një qeveri vetë. Në të njëjtën kohë, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës e klasifikoi degën e AfD-së në Saksoni-Anhalt si “ekstremiste e djathtë e konfirmuar”.
Kisha pengesë e AfD-së
Në Saksoni-Anhalt, rreth dhjetë përqind e 2.1 milion banorëve janë protestantë, tre përqind katolikë. Vetëm disa mijëra njerëz i përkasin besimit myslimanose hebre. Ndërsa rreth 85 përqind nuk janë të lidhur me asnjë fe në këtë land. Mesatarja në Gjermani është rreth 47 përqind.
Por roli i kishave si avokatë të demokracisë është më i madh në këtë land të Gjermanisë Lindore sesa sugjerojnë statistikat e thjeshta. Dhe kjo është pikërisht ajo që e shqetëson qartë AfD-në.
Me të ashtuquajturin program qeveritar, të cilin partia e miratoi në kongresin e landit në prill, ajo nisi një sulm të plotë ndaj kishave protestante dhe katolike. Sipas programit, partia synon të ndalojë të gjitha pagesat nga buxheti i landit për dy kishat dhe t’i japë fund mbledhjes së taksave kishtare nga autoritetet e landit (të cilat i paguajnë vetë kishat). Ndryshime paralajmërohen edhe kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin azil kishtar, falë të cilit refugjatët kërkojnë strehim në ndërtesat e menaxhuara nga kishat nga frika e persekutimit të përsëritur në vendet e tyre të origjinës.
Kritikat e shumta
Ashpërsia e kritikave tejkalon atë që dëgjohet zakonisht nga degët e tjera ose nga niveli politik federal i AfD. Kanë ikur ditët kur përfaqësuesit e partisë në lindje ankoheshin se nuk ftoheshin në kishë ose në konventat katolike. Në shkurt të vitit 2024, asambleja plenare e Konferencës së Peshkopëve Katolikë Gjermanë miratoi unanimisht një deklaratë ku thuhej se “nacionalizmi etnik dhe krishterimi janë të papajtueshëm”. Në të, ata identifikuan ideologjinë etno-nacionaliste të AfD-së dhe e përshkruan atë si “ekstremizëm të vërtetë të krahut të djathtë”.
Dokumenti u nxit nga zgjedhjet e ardhshme në landet lindore gjermane të Turingisë, Saksonisëdhe Brandenburgut. Zgjedhjet në Saksoni-Anhalt, Mecklenburg-Pomerania Perëndimore dhe Berlin do të mbahen në shtator të vitit 2026. Konflikti midis AfD-së dhe kishave është aktualisht më intensiv në Saksoni-Anhalt.
Nacionalizmi etnik
Peshkopi Feige beson se politikat e AfD-së “domosdoshmërisht” pasqyrojnë nacionalizmin etnik. “Deri më tani, motoja e Saksonisë-Anhaltit ka qenë ‘Mendo moderne’. AfD dëshiron ta zëvendësojë këtë me ‘Mendo gjermanisht’”, tha ai në një intervistë me DW.
“Posterat e AfD-së thonë: ‘Shpëtoni vendin tuaj’, ‘Kthejeni vendin tuaj’… Çfarë tjetër mund të jetë përveçse nacionalizmi etnik?”
74-vjeçari thotë se “nuk e kishte imagjinuar kurrë që sot kaq shumë njerëz mund të josheshin përsëri me parulla dhe ideologji të tilla. Dhe se do të shfaqeshin zjarrvënës, demagogë dhe sharlatanë dhe se kaq shumë do të binin pre e saj”. Si shembull, ai citon të ashtuquajturën ceremoni flamuri, të cilën AfDdëshiron ta rifusë në shkollat e vendit: ngritja e flamurit, këndimi i himnit kombëtar. Feige thotë: “Ekzistonte kjo gjatë epokës naziste. Tani duhet të kthehet? E konsideroj të pamundur.”
Të dyja kishat theksojnë se nuk po flasin kundër asnjë partie politike, por në mbështetje të kuptimit të krishterë të njerëzimit. Mesazhet e tyre duhet të kuptohen si mbështetje për vlerat njerëzore dhe jo për ndonjë parti të caktuar politike.
Liria fetare sipas vizionit të AfD-së
Hebrenjtë dhe jeta hebraike nuk përmenden kurrë në programin e saj. Por feja islame përmendet shpesh. AfD, siç deklarojnë ata, do ta “kthejë lirinë fetare në standardet e duhura”. Islami përshkruhet si një “fe e huaj nga ana kulturore”. Sipas AfD-së, liria fetare nuk i detyron gjermanët të “përmbushin çdo dëshirë të lobit islamik”.
“Pjesëmarrja e AfD-së në qeveri do të kishte pasoja shkatërruese”, thotë peshkopi Kramer. Prandaj, sipas tij, të gjithë ata që janë aktivë në fushën e kulturës, ata që janë të përfshirë në shoqërinë civile në çfarëdo mënyre, paralajmërojnë së bashku kundër AfD-së.
Homologu i tij katolik, peshkopi Feige, paralajmëroi gjithashtu kundër “nënvlerësimit” të pasojave të mundshme nga një qeveri e udhëhequr nga AfD-ja. Ai thotë se partia po bën fushatë “me ide mesianike” dhe po përdor mesazhe si “Gjithçka do të jetë mirë” ose “Gjithçka është e mundur”.
Meqenëse kandidati kryesor i AfD-së, Ulrich Siegmund, “duket shumë i zgjuar dhe entuziast”, disa pyesin veten se çfarë mund të jetë “e djathtë ekstreme ose e rrezikshme” tek ai.
“Por ka forca pas tij që mund të jenë të tmerrshme”, paralajmëron Feige. “Nëse një qeveri njëpartiake e AfD-së vjen në pushtet në këtë land, ky do të jetë vetëm një projekt pilot. Saksonia-Anhalt do të shërbejë më pas si një pikë hyrjeje në politikën federale”, paralajmëron ai. /DW