117 vjet nga Kongresi i Elbasanit, themeli i arsimit kombëtar shqiptar

Më 2 shtator 1909, në Elbasan u mblodh Kongresi i Arsimit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe një moment kyç në organizimin e arsimit në gjuhën shqipe.

I njohur edhe si „Kongresi i Shkollave Shqipe“, kongresi mblodhi 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike shqiptare, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare. Në mesin e delegatëve ishin veprimtarë të njohur të Lëvizjes Kombëtare, si dhe mësues e atdhetarë, ndër ta Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj dhe Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Andrea Konomi, Idhomen Kosturi dhe Kahreman Vrioni.

Në qendër të punimeve ishte zhvillimi dhe organizimi i arsimit kombëtar shqiptar. Programi i hartuar nga kongresi kërkonte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në sistemin arsimor dhe zgjerimin e mëtejshëm të mësimit në gjuhën shqipe.

Një nga vendimet më të rëndësishme ishte themelimi i Shkollës Normale të Elbasanit, e cila u hap më 1 dhjetor 1909. Ajo do të luante një rol të rëndësishëm në përgatitjen e brezave të mësuesve shqiptarë dhe në konsolidimin e arsimit kombëtar.

Kongresi i kushtoi vëmendje edhe hartimit të programeve mësimore, organizimit të shkollave shqipe dhe botimit e shpërndarjes së librave në gjuhën shqipe. Ndërkohë, çështja e alfabetit ishte trajtuar një vit më parë në Kongresin e Manastirit të vitit 1908.

Vendimet e Kongresit të Elbasanit u përfshinë në një akt me 15 pika, krahas rregullores për klubet dhe shoqëritë patriotike. Një rol të rëndësishëm iu ngarkua Shoqërisë „Përparimi“, e cila do të themelohej në Korçë dhe do të kishte për detyrë financimin e Shkollës Normale.

Shoqëria do të mbështeste gjithashtu shkollat ekzistuese shqipe, do të ndihmonte në hapjen e shkollave të reja në vise të ndryshme dhe do të nxiste përhapjen e mësimit të shqipes edhe në shkollat e huaja që vepronin në territoret shqiptare.

Zgjedhja e Elbasanit si vendi i mbajtjes së kongresit nuk ishte e rastësishme. Qyteti kishte tradita të rëndësishme patriotike, arsimore e kulturore dhe ishte lidhur ngushtë me veprimtarinë e figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare.

Kongresi i Elbasanit mbetet një nga ngjarjet themelore në historinë e arsimit shqiptar. Vendimet e tij hodhën baza të rëndësishme për organizimin dhe zhvillimin e arsimit kombëtar, përhapjen e gjuhës shqipe dhe forcimin e unitetit kulturor të shqiptarëve në vitet që i paraprinë Shpalljes së Pavarësisë.

Sot, 117 vjet pas mbajtjes së tij, Kongresi i Elbasanit kujtohet si një nga përpjekjet më të rëndësishme për ndërtimin e një sistemi arsimor shqiptar dhe për konsolidimin e gjuhës e kulturës kombëtare. /KultPlus.com

Read Previous

As dy çmime Oscar nuk e kanë ndryshuar: Aktori i njohur fotografohet teksa udhëton me metronë e Nju Jorkut

Read Next

Muzeu Kombëtar i Stokholmit blen altarpikturën e Lavinia Fontanës