“Nuk është figurë unifikuese”, Hoti del kundër Sejdiut për president
Bashkimi Evropian po rrit presionin ndaj Kinës për të ndryshuar marrëdhëniet tregtare me bllokun, duke vendosur tetorin si afat për arritjen e rezultateve konkrete.
Komisioneri Evropian për Tregtinë, Marosh Shefçoviç, ka paralajmëruar në një intervistë ekskluzive për Euronews se Pekini duhet të paraqesë rezultate konkrete deri në tetor, ose përballet me masa më të ashpra nga Brukseli.
Sipas tij, çështja tashmë ka marrë një dimension shumë më të madh se një mosmarrëveshje e zakonshme tregtare. Në lojë, tha Shefçoviç, është edhe e ardhmja e industrisë evropiane.
Negociatat mes palëve janë intensifikuar ndjeshëm. Në mesin e shtatorit pritet një bisedë me video mes Shefçoviç dhe homologut të tij kinez, Wang Wentao, ndërsa të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përpara afatit të tetorit.
“Kjo është super politike”, deklaroi Shefçoviç, duke theksuar se liderët e BE-së kërkojnë rezultate të prekshme, transmeton Telegrafi.
Nëse dialogu dështon, Brukseli mund të përdorë instrumente mbrojtëse tregtare dhe masa të tjera kundërpërgjigjeje. Shefçoviç nuk dha detaje për masat konkrete, por bëri të ditur se BE-ja po përgatit një “instrument diversifikimi”, i cili synon të reduktojë varësinë nga Kina.
Presioni vjen në një moment kur të gjitha vendet e BE-së kanë deficit tregtar me Kinën, ndërsa suficiti tregtar kinez me bllokun ka arritur nivele rekord.
Marrëdhëniet mes Brukselit dhe Pekinit janë tensionuar gjatë muajve të fundit, pas masave të BE-së që kufizojnë aksesin e kompanive kineze në tregun evropian dhe kërcënimeve të Kinës për kundërmasa.
Komisioni Evropian ka hapur gjithashtu disa hetime ndaj produkteve kineze, duke shqyrtuar pretendimet për praktika të padrejta tregtare. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se këto hetime po intensifikohen ndjeshëm.
Shefçoviç pritet të udhëtojë në Kinë në tetor, përpara një samiti të liderëve të BE-së në Bruksel, ku marrëdhëniet tregtare me Pekinin pritet të jenë ndër çështjet kryesore.
Megjithatë, komisioneri pranon se një riekuilibrim i plotë i marrëdhënieve tregtare nuk mund të arrihet brenda pak javësh. Ajo që Brukseli kërkon deri në tetor është të shohë një “provë koncepti” dhe një drejtim të qartë drejt zgjidhjes.
Në fokus janë veçanërisht sektorët e ndjeshëm për ekonominë evropiane, përfshirë automobilët, pajisjet mjekësore dhe produktet agro-ushqimore.
“Negociatat tona kanë arritur një intensitet të paprecedentë”, tha Shefçoviç, duke shtuar se BE-ja nuk ka zhvilluar kurrë më parë bisedime me palën kineze me një frekuencë dhe intensitet kaq të lartë.