Hoxha takon Sorensenin në Bled, kërkon të shkojë më shpejt normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka njoftuar se është takuar me emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, gjatë Forumit të Bledit në Slloveni.

Hoxha tha se me të ka folur për rëndësinë e dialogut që sjell rezultate të prekshme dhe që e avancon më shpejt rrugën drejt normalizimit mes dy vendeve fqinje.

“Me EUSR Sørensen, theksova rëndësinë e një dialogu të qëndrueshëm, të orientuar drejt rezultateve konkrete e të prekshme, për të avancuar më shpejt drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Hoxha në X.

Përveç Sorensen, Hoxha tha se në Bled ka takuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të Bashkimit për Mesdheun, Fadi Hajli, si dhe me Drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Tālis Linkaits.

“Aktivitete të tilla ofrojnë mundësi të vyera për takime dhe shkëmbime me aktorë të ndryshëm, veçanërisht për çështje me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin”, tha Hoxha.

Ai shtoi se në qendër të këtyre diskutimeve ishin dialogu, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, si dhe rëndësia e përshpejtimit të ndërlidhjes dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në hapësirën evropiane.

“Me z. Hajali diskutuam për forcimin e bashkëpunimit euro-mesdhetar dhe mundësitë për të avancuar projekte konkrete në fusha me rëndësi për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit. Me z. Linkaits u fokusuam te ndërlidhja, infrastruktura dhe mobiliteti, si elementë kyç për një Ballkan Perëndimor më të integruar dhe më pranë tregut dhe hapësirës evropiane. Dialogu, ndërlidhja dhe bashkëpunimi janë tre shtylla të një rajoni më të qëndrueshëm, më të integruar dhe më evropian”./Express/

Read Previous

Kallas: Sulmi i dyshuar rus në aeroportin e Lajpcigut ishte terrorizëm shtetëror, BE diskuton reagimin

Read Next

Pentagoni nënshkruan marrëveshje për të rritur prodhimin e raketave