Abdixhiku thotë se “s’ka më diskutime” për emër tjetër për President

“Kemi dështuar”. Lumir Abdixhiku e shpalli të pazgjidhshme çështjen e zgjedhjes së Presidentit pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan kandidaturën e Bekim Sejdiut. Ai i përmendi zgjedhjet e reja, për të cilat fajin tha se do ta kenë këta bashkëpartiakë të tij. Diskutime të reja për ta gjetur një emër tjetër për President tha se “nuk ka më” dhe “nuk duhet të ketë”. Albin Kurti, ndërkaq, tha se për LVV-në, marrëveshja e arritur të hënën “është e vlefshme” dhe “qëndron”, pavarësisht këtyre zhvillimeve. Tha se ai tash s’mund ta ndërmarrë “asnjë hap” tjetër, “pa u ritakuar me kryetarin Abdixhiku dhe Kryesinë e Vetëvendosjes”.

Gazeta Express

Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit sikur u shpall e dështuar dje, pasi gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dolën kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut, për të cilën kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku u dakordua të hënën me kryeministrin në detyrë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

LDK-ja mbajti dje një mbledhje të Kryesisë, pas së cilës lëshoi një deklaratë ku thuhej se nominimi i Sejdiut për President u mbështet “me unanimitet të plotë”, dhe u bëri thirrje deputetëve të saj që gjatë procesit të votimit “të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Pas një mbledhjeje të Grupit Parlamentar të LDK-së më pas, Abdixhiku doli në një konferencë për media në selinë e partisë dhe foli për një “ditë fatkeqe”. I përmendi me emra gjashtë deputetët që brenda ishin deklaruar kundër kandidaturës së Sejdiut.

Për rreth 15 minuta sa zgjati konferencë, kreu i LDK-së përmendi shtatë herë zgjedhjet e reja, që tha se po i shkaktonin “pashmangshëm” këta deputetë të partisë së tij, duke humbur, siç tha ai, “një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën”.

“Në çdo palë zgjedhje të ardhshme që shkaktohen për shkak të këtij refuzimi […] do të jetë me pasoja të rënda edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore që do të konsolidojnë pushtetin absolut, por edhe për vetë LDK-në”, tha Abdixhiku.

Ai tha se “qytatarët tanë po shohin, do të shohin, do të veprojnë dhe kjo është pasoja më e madhe” për vendin.

Abdixhiku paralajmëroi pasoja për gjashtë deputetët që nuk u pajtuan me emrin e dakorduar për President. I pyetur për masat që do të merren ndaj tyre, ai tha ato do të vijnë.

Pas përçarjes së LDK-së që u konfirmua edhe një herë tjetër, në LVV mbrëmë u mbajtën diskutime për marrëveshjen e arritur për çështjen e Presidentit.

Kurti doli nga ajo mbledhje për të thënë se të gjithë deputetët e LVV-së e mirëpritën dhe e mbështetën kandidaturën e Sejdiut për President, dhe e quajti “absurde” kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së.

Po aq sa Abdixhiku, Kurti i përmendi zgjedhjet e reja në konferencën që zgjati më pak se 15 minuta.

“Pas tri palë zgjedhjeve, duket që ka dëshirë e ka vullnet, ka interes, që të shkojmë edhe në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, tha ai.

Kurti e falënderoi Abdixhikun dhe bashkëpunëtorët e tij, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin që e kishin shoqëruar atë gjatë takimeve në Kuvend.

Çka tash? Kurti e mbajti valide marrëveshjen duke kërkuar të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Abdixhiku tha se “nuk ka më diskutime” për emra të tjerë

Abdixhiku tha se “deri në momentin e fundit do të bëjmë përpjekje për votë” për Sejdiun, por pak më vonë deklaroi se “nuk jam në pozitë të siguroj vota shtesë, sepse s’kam se si t’i bëj”.

I pyetur nëse ekziston mundësia që ai t’i vazhdojë përpjekjet me Kurtin për të gjetur një emër tjetër për President, që do të ishte i pranueshëm për gjashtë deputetët e LDK-së, Abdixhiku tha se “nuk ka” dhe “nuk duhet të ketë” më diskutime.

“Jo, nuk ka më diskutime tjera, nuk duhet të ketë diskutime tjera. Nuk duhet Kosova të bie pre e vetove, as e kërcënimeve. Ne ose veprojmë si familje, ose dështojmë si familje. Fatkeqësisht kemi dështuar”, tha ai.

Abdixhiku tha se do të donte që “edhe partitë e tjera të kontribuonin” në zgjedhjen e Presidentit.

“Do të kisha pasur dëshirë që edhe partitë tjera të kontribuonin në këtë drejtim, ta kuptojnë këtë moment, por nëse janë kaq shumë të etur për zgjedhje të reja, le t’i bëjnë ato zgjedhje bre”, tha ai.

Një tjetër fjali e Abdixhikut sikur konfirmoi se ai po i jep fund kësaj “përpjekjeje”.

“Jam i pafuqishëm ta rregulloj një mendim të tillë që do me gjithë zemër me na dërgu në zgjedhje”, tha ai në një moment gjatë konferencës për media.

Tani, Abdixhiku tha se “duhet me rrjedhë afatet kushtetuese, kurdo që rrjedhin”.

“Ditën që caktohet seanca për President, unë atë ditë do të jem me po aq deputet – dhe po qofsha vetë, vetë do të jem në atë sallë”, tha ai.

Kurti, ndërkaq, tha se kjo situatë kërkon takim të ri të tij me Abdixhikun.

“Kjo është një situatë e re e cila kërkon që, në njërën anë, unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së, dhe në anën tjetër, që të rikthehem në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet të ndjekim përpara”, tha ai.

Kreu i LVV-së tha se marrëveshja e arritur të hënën është ende e vlefshme.

“Për mua si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, si udhëheqës i delegacionit, ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme. Pra, ajo marrëveshje qëndron. Është marrëveshje me shumë mund, është marrëveshje e drejtë, e mirë, e vërtetë, e dobishme, por çfarë të bëjmë që kishim këtë veprimin negativ të 6 deputetëve, të cilët duket qartë që nuk e kanë aq kundër profesor Bekim Sejdiut, sa kundër qeverisë që unë e udhëheq”, tha ai.

Kurti theksoi se pavarësisht zhvillimeve në LDK, “tash, për Lëvizjen Vetëvendosje, kandidati për President është profesor Bekim Sejdiu”. Përsëriti se “kemi marrëveshje” dhe se “marrëveshja politike është e vlefshme”.

“Unë po e përsëris: duhet të ritakohem edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por edhe me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje sepse situata ka ndryshuar”, tha ai.

Kurti tha se nuk mund ta ndërmarrë “asnjë hap” tjetër, “pa u ritakuar me kryetarin Abdixhiku dhe Kryesinë e Vetëvendosjes”.

Deputetët e LDK-së që dolën kundër marrëveshjes së Abdixhikut me Kurtin, dhanë arsyetimet e tyre. Kundërshtimet e tyre i patën edhe dy nënkryetarë të LDK-së, Imri Ahmeti dhe Gazmend Muhaxheri, të cilët thanë se emri i Bekim Sejdiut do të duhej të diskutohej paraprakisht në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr të paktën 61 vota zgjidhet President.

LVV-ja i ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Me 11 deputetët e minoriteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe, do të ishin bërë 82 deputetë, mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit. Por pa gjashtë deputetët e LDK-së që dolën kundër, numri bie në 76. Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ashtu si deputeti goran, Adem Hoxha – siç është dëshmuar edhe më herët – mund të ishin gjithashtu problem jo lehtë i zgjidhshëm në kalkulimet për zgjedhjen e Bekim Sejdiut President dhe do ta zbrisnin më tej numrin e deputetëve në 74 – siç konfirmoi edhe Kurti.

Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi dhe nuk vazhdoi më.

LVV-ja ka insistuar se seanca konstituive nuk do të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

Read Previous

Kurti kërkon të flasë sërish me Abdixhikun, thotë se mund të takohen sot

Read Next

Ulutas: Tranzicioni gradual i KFOR-it nga prania në Urën e Ibrit bazohet në kushte të caktuara