Migracioni: Balancimi i vështirë i Gjermanisë në Magreb

Pak javë pas fluksit masiv të migrantëve drejt Ceutës, migracioni përmes rrugës mesdhetare vazhdon të jetë në fokus. Një temë që ministri i Jashtëm gjerman, Wadephul nuk mund ta shmangë gjatë vizitës në Afrikën e Veriut.

“Ne duhet t’ua presim rrugën rrjeteve të kontrabandistëve”, u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul. “Për këtë duhet të angazhohemi së bashku”, shton ai, duke parë nga homologu i tij Nafti. Wadephul qëndron pas një foltoreje në Ministrinë e Jashtme në Tuniz. Përkrah tij, ministri i Jashtëm tunizian Mohamed Ali Nafti, i cili sapo ka përshkruar me fjalë plot lëvdata marrëdhëniet, sipas tij të shkëlqyera, mes dy vendeve. Një burrë me mustaqe dhe syze, që vendos dorën mbi kraharor me buzëqeshje sa herë që Wadephul lavdëron Tunizinë.

Por tani Nafti tund kokën me siklet. Ai e di se çështja e migracionit është aktualisht tejet vendimtare për evropianët. Dhe është një temë që nuk është pa tensione e mosmarrëveshje.

Problemi i migracionit të parregullt mbetet aktual 

Prej dekadash, problemi i refugjatëve që humbin jetën në Mesdhe gjatë udhëtimit me gomone nuk është zgjidhur. Fjalët e Johann Wadephulit mund të ishin thënë edhe para njëzet vitesh. Por edhe në vitin 2026 ato mbeten po aq aktuale.

Çështja e migracionit të parregullt nga Afrika e Veriut drejt Evropës përmes rrugës mesdhetare është rikthyer këtë verë në krye të axhendës politike. Më shumë se 72.000 migrantë kaluan nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës brenda pak ditësh. Pamjet e kësaj vale migratore bënë xhiron e botës. Sipas Agjencisë Evropiane për Rojet Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, gjatë gjysmës së parë të vitit është regjistruar një rritje prej 17 për qind e numrit të personave të ndaluar në rrugën perëndimore të Mesdheut drejt Spanjës. Bashkimi Evropian e ndjek me shqetësim këtë zhvillim.

Wadephul kërkon “partneritet sigurie” me Afrikën e Veriut

Në një intervistë për studion e ARD-së në Berlin, Johann Wadephul parashtroi kërkesa të qarta ndaj vendeve të Afrikës së Veriut. “Unë pres që ato të mos e lejojnë thjesht kalimin e njerëzve, siç ka ndodhur në të kaluarën”, tha ministri i Jashtëm. “Pres që ato të jenë të gatshme të hyjnë me ne në një partneritet sigurie, që të respektohen të drejtat e njeriut dhe që gjithçka të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi ai.

Wadephul e lidh problemin kryesisht me veprimtarinë e rrjeteve të kontrabandistëve të njerëzve, të cilat, sipas tij, “janë përgjegjëse për tragjedi të tilla njerëzore”.

Vende si Tunizia janë aktualisht objekt kritikash të forta. Organizatat për të drejtat e njeriut ngrenë akuza, se të drejtat e migrantëve po shkelen e Bashkimi Evropian e toleron këtë përmes një marrëveshjeje të nënshkruar tre vjet më parë. Ka raportime për migrantë që janë braktisur në shkretëtirë. “Në thelb, ne po e zhvendosim kontrollin kufitar, sa herë që është e mundur, tek shtetet fqinje të BE-së”, shpjegon studiuesja e migracionit Judith Kohlenberger në një intervistë për tagesschau24. “Kjo i kushton shumë para Bashkimit Evropian. Por, në të njëjtën kohë, regjime të tilla marrin edhe më shumë legjitimitet.”

Wadephul dëshiron të luftojë shkaqet e migracionit

Tunizia konsiderohet si një vend që po shkon gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit. Megjithatë, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul u takua edhe me presidentin e kontesuar, Kais Saied. Por a është kjo rruga e duhur për të luftuar migracionin e parregullt? “Nëse njerëzit nuk detyrohen të largohen, atëherë nuk kanë pse të largohen”, është përgjigjja e ministrit gjerman të Jashtëm.

Ministri i Jashtëm gjerman, synon të adresojë shkaqet që i shtyjnë njerëzit të emigrojnë, dhe këtë jo vetëm në shtetet e Magrebit, si Tunizia, Algjeria dhe Maroku. “Një nga arsyet kryesore të migracionit është terrorizmi dhe islamizmi që po përhapet, veçanërisht në rajonin e Sahelit.” Zona e Sahelit, e cila shtrihet mes rajoneve më të lagështa afrikane dhe shkretëtirës së Saharasë, prej vitesh përballet me paqëndrueshmëri politike. Për këtë arsye, Wadephul dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Tunizinë, Algjerinë dhe Marokun, me synimin për të kontribuar në stabilitetin e Sahelit. “Bashkëpunim në fushën e sigurisë në kuptimin më të gjerë, bashkëpunim ekonomik në kuptimin më të gjerë dhe bashkëpunim zhvillimor, që të pengohet përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës në këtë rajon”, u shpreh Wadephul.

Është një balancim i vështirë mbi tel, një balancim delikat që po përpiqet ta realizojë Wadephul.  Gjermania është e ndarë sa i përket çështjes së migracionit. Nga njëra anë, gjermanët kërkojnë kufizimin e migracionit, ndërsa nga ana tjetër duan që të ruhet humanizmi dhe dinjiteti njerëzor. T’i përmbushësh njëkohësisht të dyja këto pritshmëri duket si një mision pothuajse i pamundur në Magreb. /DW

Read Previous

Dronët hynë në hapësirën ajrore të Letonisë dhe Estonisë

Read Next

Gjermania akuzon Rusinë për sulmin në aeroportin e Leipzigut