Qeveria kërkon forcimin e bashkëpunimit me komunat për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve
Zyra e zëvendëskryeministrit për çështjet e komuniteteve dhe bashkëpunim ka mbajtur takim me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim. Me këtë rast, u adresuan sfidat e komuniteteve në Kosovë e u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qeveria do të angazhohet në përmirësimin e koordinimit me institucionet lokale. Sipas tij, shteti gjithmonë është në shërbim të qytetarëve.
“Ky takim është një mundësi për të diskutuar për rolin e institucioneve në zbatim të të drejtave të komuniteteve dhe nevojën e koordinimit mes nivelit qendror dhe lokal. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve nuk duhet të kuptohet vetëm përmes zbatimit të kornizës kushtetuese, por edhe përfitimeve që kanë qytetarët. Në shumë raste sfida lidhet me zbatimin e të drejtave të garantuara dhe me dobinë që duhet ta kenë qytetarët. Zyrat komunale për komunitete dhe kthim duhet të mbajnë kontakte të rregullta me komunitetet. Kjo është e rëndësishme sepse një pjesë e çështjeve që lidhen me komunitetin shfaqen në nivel lokal. Arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, banimi dhe pjesëmarrja në vendimmarrje. Nevojiten masa për problemet që përsëriten dhe ndërhyrje sipas nevojave. Kjo kërkon që institucionet të kenë informata më të sakta për nevojat në terren. Një nga sfidat që duhet të adresojmë është koordinimi institucional. Është e rëndësishme që informacioni të mos ndalet në një nivel institucional”, ka deklaruar Kurti.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Fikrim Danka, potencoi se mbrojtja e të drejtave të komuniteteve është detyrë e nivelit qendror dhe atij lokal.
“Kosova ka një kornizë të fuqishme kushtetuese për mbrojtjen dhe promovimin e komuniteteve. E rëndësishme është që të drejtat të jenë të garantuara me ligj, por suksesi është kur qytetari e realizon atë të drejtë. Qytetarët duhet të kenë qasje në shërbimet që i garanton shteti. Ne duhet të ndajmë praktikat e mira. Politikat dhe programet që zhvillohen në nivelin qendror duhet të arrijnë te qytetarët në nivelin lokal. Politikat dhe mundësitë që ofron qeveria duhet të arrijnë te komunitetet. Sot duam të dëgjojmë se ku ka pengesa dhe ku duhet të fuqizohet bashkëpunimi me institucionet. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve është detyrë e nivelit qendror dhe lokal”, shtoi ai. /RTKlive