“Jolene”, historia pas një prej këngëve më të famshme të Dolly Parton

Këngëtarja, kompozitorja, aktorja dhe producentja amerikane Dolly Parton u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas një karrierë prej më shumë se gjashtë dekadash dhe një repertor të pasur me këngë që janë shndërruar në klasika të muzikës amerikane.

Mes hiteve të saj, një vend të veçantë zë “Jolene”, kënga e publikuar në vitin 1973, e cila është bërë një prej veprave më të njohura të muzikës country.

Parton e regjistroi këngën më 22 maj 1973 në legjendaren RCA Studio B në Nashville. E publikuar si këngë e veçantë, “Jolene” arriti në vendin e parë të Billboard Country Chart dhe me kalimin e viteve u shndërrua në një prej këngëve më të interpretuara të repertorit të saj.

Historia pas këngës është po aq interesante sa vetë muzika. Parton ka treguar se personazhi i Jolene u frymëzua nga dy gra të ndryshme.

Njëra ishte një punonjëse banke me flokë të kuqe, e cila, sipas Parton, kishte shfaqur interes për bashkëshortin e saj, Carl Dean. Këngëtarja e kishte kthyer situatën në një shaka mes çiftit, duke e përdorur më pas si pikënisje për këngën.

“Ajo u dashurua tmerrësisht me burrin tim”, kishte treguar Parton për NPR, duke shpjeguar se bashkëshorti i saj e pëlqente vëmendjen që merrte në bankë.

Por emri Jolene erdhi nga një tjetër person. Gjatë një koncerti, Parton kishte takuar një vajzë të vogël me flokë të kuqe, sy të gjelbër dhe pamje shumë të veçantë, e cila i kërkoi një autograf.

Kur e pyeti për emrin, vajza iu përgjigj: “Joline”.

Parton e konsideroi emrin aq të bukur sa i premtoi se do të shkruante një këngë për të. Kështu, emri i një vajze të vogël u bë titulli i një prej hiteve më të mëdha të karrierës së saj.

Në regjistrimin e këngës morën pjesë edhe disa prej muzikantëve të njohur të Nashville-it, ndër ta kitaristët Chip Young dhe Wayne Moss.

Ndikimi i “Jolene” vazhdoi për dekada. Kënga është interpretuar dhe regjistruar në dhjetëra versione nga artistë të ndryshëm. Miley Cyrus, The White Stripes, Ellie Goulding dhe The Sisters of Mercy janë vetëm disa prej emrave që kanë sjellë versionet e tyre.

Në vitin 2024, edhe Beyoncé e përfshiu “Jolene” në albumin Cowboy Carter, duke marrë miratimin e vetë Dolly Parton.

Nga një histori xhelozie dhe frike për humbjen e dashurisë, Dolly Parton krijoi një këngë që kapërceu kufijtë e country-t dhe brezave. “Jolene” mbetet një prej dëshmive më të fuqishme të talentit të saj si kompozitore dhe një pjesë e pandashme e trashëgimisë muzikore që ajo la pas. /KultPlus.com

Read Previous

David Attenborough, 100 vjeç, bëhet personi më i moshuar i nominuar ndonjëherë për një Primetime Emmy

Read Next

Parashikimi i motit për sot