Kearns kritikon Serbinë për nderimet ndaj Mlladiqit: Ambiciet e tij nuk u shuan me vdekjen

Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar pas raportimeve se Ratko Mlladiqi, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, do të varroset në Serbi me nderime të larta shtetërore.

Përmes një postimi në platformën X, Kearns ka kritikuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe Qeverinë e Serbisë për qëndrimin e tyre ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

“Vuçiqi dhe qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Tani ata do ta varrosin njeriun që dha urdhrat, Ratko Mlladiqin, me nderime të plota. Kjo është një rrëfim”, ka shkruar Kearns.

Ajo ka theksuar se vdekja e Mlladiqit nuk do të thotë se kanë marrë fund edhe idetë që ai përfaqësonte.

“Mlladiqi ka vdekur, por miliona boshnjakë vazhdojnë të jetojnë. Çdo jetë e jetuar është një fitore kundër tij dhe ambicieve të tij gjenocidale”, ka deklaruar deputetja britanike.

Kearns ka paralajmëruar gjithashtu se mohimi i gjenocidit në Srebrenicë ndihmon në mbajtjen gjallë të këtyre ideve.

“Mos mendoni se ato ambicie vdiqën me të. Ato mbahen gjallë nga ata që e mohojnë gjenocidin”, ka shtuar ajo.

Ratko Mlladiqi vdiq më 27 gusht në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm.

Ai ishte dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përgjegjësinë për masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, ku u vranë më shumë se tetë mijë burra dhe djem boshnjakë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

“Camp Nou” i Barcelonës favorit për ta pritur finalen e Ligës së Kampionëve më 2029

Read Next

Mourinho ua tregon drejtuesve emrin e mesfushorit që e do te Real Madridi