Temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së enjte në Kosovë, ku maksimalet pritet të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti do të jetë me diell dhe vranësira, të cilat do të jenë më të fokusuara përreth relievit malor.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 29 deri në 36 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, kryesisht nga veriperëndimi dhe verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.
Sa i përket kushteve biometeorologjike, temperaturat e larta gjatë ditës mund të shkaktojnë ngarkesë të shtuar termike, veçanërisht te personat e ndjeshëm. Rekomandohet shmangia e qëndrimit të gjatë në diell, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve dhe kufizimi i aktiviteteve fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Ndërkohë, temperaturat e larta dhe moti kryesisht i thatë pritet të favorizojnë pjekjen dhe përfundimin e fazave të zhvillimit të kulturave bujqësore, por njëkohësisht do të rrisin nevojën për ujitje.
Indeksi UV gjatë ditëve me diell pritet të jetë i lartë deri shumë i lartë, ndaj qytetarëve u rekomandohet mbrojtje nga rrezatimi diellor, sidomos në intervalin kohor nga ora 10:00 deri në 16:00.