Një stuhi e fortë ka goditur qytetin e Forlì-t në Italinë veriore, duke shkaktuar probleme të mëdha në aeroportin “Luigi Ridolfi”, ku erërat e fuqishme kanë rrëmbyer dhe përmbysur katër avionë të vegjël. Pamjet e publikuara nga mediat italiane tregojnë avionët që lëvizin në pistë nën forcën e erës, ndërsa disa prej tyre përmbysen. Sipas raportimeve, shpejtësia e erës pranë aeroportit arriti deri në 120 kilometra në orë.
Për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike, autoritetet vendosën të mbyllin përkohësisht aeroportin. Rajoni Emilia-Romagna bëri të ditur se aeroporti qëndroi i mbyllur për rreth një orë, derisa u kryen kontrollet e sigurisë dhe moti u përmirësua.Stuhia ndikoi edhe në operacionet ajrore. Një avion raportohet se hasi vështirësi serioze gjatë uljes, ndërsa katër mjete të lehta pësuan dëmtime nga erërat e forta. Problemet nuk u kufizuan vetëm në aeroport. Shërbimet zjarrfikëse morën më shumë se 150 thirrje për ndërhyrje, kryesisht për pemë të rrëzuara dhe dëme të shkaktuara nga era. Vetëm në provincën Forlì-Cesena u regjistruan 73 ndërhyrje.
Shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta prekën edhe provincat e Ravenës, Ferrarës, Bolonjës dhe Modenës, ndërsa moti i keq shkaktoi përmbytje, rrëzime pemësh dhe probleme në infrastrukturë në disa rajone të Italisë veriore dhe qendrore. Sipas mediave italiane, Lombardia, Piemonte, Liguria, Toskana, Veneto dhe Emilia-Romagna ishin ndër zonat më të prekura nga vala e motit ekstrem, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme brenda pak minutash.